Lazarati i rrethuar nga policia

16/06/2014 00:00

Në mëngjesin e së hënës policia rinisi aksionin për të ndërhyrë në Lazarat dhe në mesditë mundi të arrijë deri në hyrje të fshatit. Por aty u ndesh me persona të armatosur dhe maska, të cilët shkëmbyen zjarr intensiv me policinë.

Situata në fshat u bë dramatike. Në rrugë pati edhe makina të djegura, mes të cilave edhe ajo e kolegëve të televizionit ‘A1 Report’. Një pjesë e banorëve, burra, gra dhe fëmijë u larguan në panik e sipër.

Lidhur me të shtënat ndaj uniformave blu, policia tha se bëhej fjalë për një gurp prej 27 personash të kryesuar nga shtetasi Gate Mahumutaj.

“Akoma s’e kam marrë vesh ç’ka ndodhur. Sapo kam zbritur poshtë nga lopët dhe dëgjova këto. Emri im ka dalë sepse pranë sallës time janë mbjellë bimë narkotike, por ato nuk janë të mijat. Unë nuk kam kultivuar asnjëherë, ato nuk më përkasin mua”, tha Mahmutaj për Top Channel.

Por policia, e cila mundi të hyjë me autoblinda deri në magazinat e Mahmutaj, tha përmes një njoftimi për shtyp se, në pronën e këtij shtetasi, në 7 parcela janë asgjesuar 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa dhe 1.000 fidanë hashash në kubikë, të gatshëm për t’u mbjellë.

Sipas policsë, janë konstatuar edhe 6 fuçi me marjuanë të cilat janë djegur nga i dyshuari për të zhdukur gjurmët. Ndërkohë që në tokën pronë të Gate Mahmuatj u gjendën edhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, nga plumbat që u përdorën në sulimin kundër policisë.

Pas një armëpushimi me ndërmjetësimin e kryetarit të komunes Lazarat, grupi i këkruar, megjithë kërkesat e bëra për t’u dorëzuar, është tërhequr në një zonë tjetër të fshatit, i cili tashmë është i rrethuar plotësisht nga forcat e policisë.

Policia u ka bërë thirrje banorëve të fshtati Lazarat të distancohen nga ky grup kriminal dhe këshillon banorët e rrethinave të jenë të kujdesshëm me lëvizjet deri në përfundim të opreacionit.

Ndërkohë, me anë të një postimi në Twitter, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka përgëzuar operacionin e policisë shqiptare në Lazarat kundër plantacioneve të kanabisit.

“Mirëpresim operacionin policor kundër plantacioneve të kanabisit në Lazarat, duke treguar vendosmëri në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar”, shkruan Fyle në profilin e tij.

Rreth 200 forca të tjera policore i bashkohen aksionit

Gazetarja e Top Channel në Gjirokastër, Kristina Fidhi ka raportuar se gjatë mbrëmjes operacionit të policisë i janë bashkuar edhe rreth 200 forca të tjera policore. Gjithashtu mësohet se edhe disa autoblinda janë vendosur në pjesën jugore të fshatit.

Pavarësisht se situata tashmë duket më e qetë edhe gjatë mbrëmjes ka pasur të shtëna me gjurmë lënës në atë pjesë të fshatit, e cila ende nuk është nën kontrollin e policisë. Ndërsa, pas djegies së sasive të konsiderueshme të hashashit Lazararti është mbuluar nga tymi, duke krijuar një situatë asfiksuese në këtë zonë.
 

PS dënon dhunën ndaj gazetarëve

Partia Socialiste ka dënuar ashpër dhunën dhe kërcënimet e bëra ndaj gazetarëve nga banorët e fshatit Lazarat, teksa zhvillohej operacioni i policisë. Në një deklaratë për mediat, deputeti Alfred Peza tha se, askush nuk mund të pengojë gazetarët të bëjnë detyrën e tyre “të shenjtë” të informimit të publikut.

“Partia Socialiste dënon ashpër aktin e rëndë kriminal të një grupi banorësh të këtij fshati, të cilët kanë ndaluar, kanë marrë peng dhe kanë goditur nëpërmjet dhunës verbale dhe grykës së armëve një grup gazetarësh të televizionit A1 Report, që ndodheshin në Lazarat për të kryer misionin e tyre.

Më pas, këta persona kanë shkatërruar dhe i kanë vënë flakën mjetit me të cilin udhëtonin punonjësit e medias. Grupi i punonjësve të televizionit ishte atje në mes të ditës, në mes të fshatit dhe me një makinë me logo të dukshme të televizionit, për të ndjekur dhe pasqyruar operacionin e Policisë së Shtetit kundër mbjelljes, trafikut të drogës dhe personave me preçedentë penalë në këtë zonë.

Partia Socialiste përshëndet dhe falënderon të gjithë ata banorë të fshatit Lazarat që u distancuan nga kjo ngjarje e rëndë, duke shkëputur nga thonjtë e kriminelëve punonjësit e televizionit A1 Report, duke garantuar paprekshmërinë e jetës së tyre dhe shenjtërinë e profesionit të gazetarit”, u shpreh Peza, dikur gazetar.

Tahiri: Kemi nisur betejën me mafien
“Politikanë, mos i dilni përkrah krimit. Lazarati, mos guxoni të qëlloni policinë

Ndërkohë që në Lazarat është një situatë e nderë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shfaq para kamerave nën shoqërinë e forcave Elitë të policisë shqiptare, duke deklaruar se shteti i ka shpallur luftë mafies dhe krimit.

Tahiri kishte përpara sasinë e drogës dhe mjetet e sekuestruara në laboratorin e Fushë-Kuqes së Laçit dhe kërkoi që politikanët të mos bëhen pjesë e krimit dhe trafikut. Duke iu referuar Lazaratit, Tahiri kërcënoi gjithkënd, që do të qëllojë ndaj policisë, se do të përballet me forcën e shtetit, si kurrë më parë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që po luftojmë mafien dhe krimin që këto 23 vjet është rritur e pasuruar në kurriz të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që përbëjnë 99% të popullsisë. Përballë rezultateve të policisë presim që të gjithë, më e pakta të heshtin dhe të lënë ligjin të flasë. Politika më e para. Për atëherë kur politika bëhet palë me krimin, unë personalisht, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, mazhoranca si një e tërë, qeveria dhe kryeministri do të bëjmë gjithcka për ti vënë para ligjit. Politika ka detyrë të bëhet palë me qytetarët, jo me krimin. Të mbështesë policinë e Shtetit dhe jo të nxisë kriminelët. Vetëm kështu do të mund të bëjmë vendin e shqiptarëve të barabartë para ligjit, dhe jo vendin e kriminelëve. Po luftojmë kundër përfaqësuesve të botës së krimit, që duhet të ishin sot prapa hekurave, por që nuk janë sepse gjyqtarë të korruptuar, po aq kriminelë sa vet ata, kanë lënë të lirë përfaqësuesit e krimit, me të cilët policia po përballet sot. Ne nuk kemi ndërmend aspak të ndalemi. Drejtësia ka një çmim dhe secili do paguajë cmimin e vet, qoftë ky i kaluar, i tashëm apo i ardhshëm. I bëj thirrje dhe atyre që tani, në këto momente, kanë marrë armët kundër policisë në Lazarat. I keni bërë llogaritë shumë gabim, dhe mos mendoni kurrë se ka Zot në Tokë, që mund t’iu dalë zot në rast se kundërshtoni me armë policinë e Shtetit. Hidhni armët dhe lini policinë të bëjë detyrën. Në të kundërt, forca e ligjit do të veprojë si asnjëherë tjetër”, u shpreh ministri i Brendshëm, Tahiri.

Rama: Pse nuk flet PD-ja?

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama kërkoi të dinte nëse Partia Demokratike e mbështet apo jo aksionin në Lazarat.

“Një pyetje qe nuk po di si t’i kthej pergjigje: Pse sflet PD dhe e mbeshtet a jo Policine e Shtetit perballe atyre qe qellojne me arme ne Lazarat?”, shkroi Rama.

Policia: Kush pretendon se nuk është i implikuar të paraqitet në komisariat

Policia e Shtetit ka ftuar të gjithë personat që pretendojnë se nuk kanë qënë të pranishëm në sulmin me armë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të paraqiten në Komisariatin më të afërt në vendet ku ato ndodhen.

Në deklaratën për shtyp thuhet se “Policia e Shtetit në të gjithë veprimet e saj ka qenë në krah të banorëve të Lazaratit, duke i ndarë ata nga pjesa e inkriminuar. Policia e Shtetit bashkëpunoi dhe me kreun e pushtetit vendor në Lazarat, duke i dhënë mundësinë atij të negociojë me këta persona që kundërshtuan me armë policinë, por jo vetëm që nuk u bë e mundur të bindë personat, por u dha mundësi atyre që pas dy orësh të largohen nga banesa që ishte nën rrethimin e policisë”.

FOTO GALERI
1/1
Lista e emrave

Top Channel