Këngëtarja që këndoi gjatë operacionit në fyt

16/06/2014 00:00

Një këngëtare të cilës i është hequr një tumor në fyt ka kënduar gjatë operacionit në mënyrë që mjekët të mos i dëmtonin kordat zanore. Alama Kante u operua e hipnotizuar në spitalin “Henri Mondor” në Creteil të Francës.

Gilles Dhonneur e realizoi operacionin delikat në muajin prill dhe shpjegoi se e vetmja mënyrë që të ruante zërin e këngëtares, ishte që ajo të këndonte gjatë operacionit.

Në fillim, Alama Kantes iu bë një anestezi lokale para se të hipnotizohej nga Asmaa Khaled. Më pas, ajo kaloi në trans dhe imagjinoi një udhëtim në Afrikë, kontinentin e saj të origjinës.

Alama tregon: “Kisha pranë vetes një grua që më thonte se gjithçka do të shkonte mirë. Më tha që do të nisja një udhëtim në Senegal dhe mua më dukej sikur nuk isha në sallën e operacionit, por në Senegal. Pati një moment kur ndjeva dhimbje, por kur gruaja që po më hipnotizonte tha që dhimbja do të largohej, u largua vërtet.”

Top Channel