Policia bën bilancin e aksionit

16/06/2014 00:00

Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë publikuar bilancin e rezultateve të arritura deri në orët e mbrëmjes në operacionin masiv kundër kultivimit të drogës në fshatin Lazarat.

Përmes një komunikate për shtyp, Policia ka bërë me dije se uniformat blu të angazhuara në aksion kanë asgjesuar parcela të mbjella me bimë narkotike, si dhe kanë arritur të gjejnë prova për përfshirjen e disa banorëve të fshatit në shkëmbimin e zjarrit.

“Nga veprimet e kryera në objektet pronë e shtetasit Gate Mahmutaj, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshëm, që janë përdorur gjatë sulimit ndaj forcave të Policisë.

Gjithashtu u gjetën dhe asgjesuan: 7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa, që varionin nga 50 cm-1 metër lartësi dhe 1.000 fidanë kubikë të gatshëm për kultvim në kapanon”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas dokumentit, gjatë operacionit gjithashtu u konstatuan duke u djegur 6 fuçi me marijuanë, të cilave ua kishte vënë zjarrin vetë i dyshuari, me qëllim eleminimin e provës, si dhe sasi të tjera lëndë narkotike të konsiderueshme të papaketuara.

“Nga strukturat e policisë vijojnë veprimet hetimore dhe proçedurlae për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorisë”, saktëson njoftimi.

Prej tij mësohet se strukturat e policisë do të vijojnë veprimet për kapjen e personave që sulmuan me armë forcat e policisë, të zhvendosur tashmë në brendësi të territorit të fshatit, si dhe për identifikimin dhe asgjesimin e sipërfaqeve të tjera të kultivuara me kanabis sativa.

“Në këtë operacion janë përfshirë rreth 500 forca dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë”, përfundon njoftimi.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel