Marrëveshja e re për bashkëqeverisje mes partisë maqedonase VMRO – DPMNE dhe asaj shqiptare BDI nuk i favorizon pozitat e partnerëve shqiptarë dhe i lë në duar të kuadrove maqedonas postet më të rëndësishme dhe në katër vitet e ardhshme.

Deputetja e BDI, Ermira Mehmeti e pranon se qeverinë e re do ta drejtojnë thuajse të njëjtat figura. Për të është e paqartë tej zgjatja e negociatave për formimin e qeverisë së re mes 2 partive që e drejtojnë vendin nga viti 2008.

“Marrëveshja për bashkëqeverisje nuk ka ndonjë emër të ri edhe drejtoritë e rëndësishme do të jenë sërish nën drejtimin e maqedonasve”, tha Mehmeti.

Përbërja e re e propozuar nga mandatari Nikola Gruevski pritet të votohet nga Parlamenti ditën e enjte.

Nga 28 anëtarët e kabinetit të ardhshëm vetëm 8 janë emra të rinj. 3 ministritë që konsiderohen të rëndësishme edhe në 4 vitet e ardhshme do të drejtohen nga maqedonasit. Për shqiptarët janë rezervuar Ministria e Arsimit, e Drejtësisë, Ekonomisë, Pushtetit Lokal dhe ajo e Ekologjisë.

BDI në Ekzekutiv do të përfaqësohet edhe nga 2 zëvendësministra. Kjo parti ka pranuar publikisht se ka hequr dorë nga disa kërkesa kombëtare për t’i dhënë prioritet zhbllokimit të procesit integrues të vendit në 6 muajt e parë të qeverisjes.  

Top Channel