Në reagimin e parë publik, Partia Demokratike mbështet vendimet dhe veprimet kundër narko-trafikut, por operacionin e ndërmarrë nga Policia e Shtetit në fshatin Lazarat që prej së hënës, e konsideron një “spektakël banditesk” të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Pseudofushata e Ramës dhe Tahirit është një pozicionim taktik ‘t’ia hedhim botës’ me karakter propagandistik dhe selektiv. Narko-trafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut. Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga zyrat e demokratëve.

Më herët ishte deputeti i PD dhe ish-Ministri i Brendshëm Flamur Noka ai që reagoi për operacionin në Lazarat.

“Mbështes policinë, por ky është një show i Tahirit. Ky është një show banditesk i Tahirit. Këta e kthyen të gjithë vendin në Lazarat. Jeta e çdo qytetari dhe polici është e shenjtë, ndaj përgjegjësinë për këtë do e mbajnë ata”, deklaroi Noka në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë.

Për operacionin reagoi edhe ish-kryeministri Berisha i cili thotë se mbështet çdo përpjekje të policisë për vendosjen e ligjit në çdo skaj të vendit, por, sipas tij, aksioni në Lazarat është kaotik dhe i dështuar që pa nisur. Për zotin Berisha, grupet kriminale në Lazarat ishin njoftuar më parë nga ortakët në qeveri dhe se në listën e policisë nuk janë përfshirë bosët e trafikut të hashashit në Lazarat. Ish-kryeministri dënoi edhe sulmin ndaj A1 Report dhe plagosjen e efektivit të policisë.

Menjëherë pas deklaratës së demokratëve, ka reaguar Kryeministri Edi Rama, po nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Ah,foli PD!Asnjë llaf për gazetarët e dhunuar e policin e plagosur, po një mbështetje policisë me kusht që mos dëgjojë Ministrin e Brendshëm!”, shkruan Rama.

Basha në FB: Fituam një betejë, lufta vazhdon

Në një status në “Facebook” në mbrëmje kryetari i PD-se Lulzim Basha shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe organizatat që krijuan bashkë me PD-në Aleancën Kombëtare Kundër Drogës.

“Fryma dhe vlerat tona po fitojnë terren. Demaskimi i avionëve të drogës, i narkotrafikut me pushtet politik dhe protestat qytetarë shtuan presionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Forca jonë, forca e opinionit publik dhe miqve perëndimorë detyroi pushtetarët të distancohen formalisht nga droga. Por kujdes: fituam një betejë, lufta vazhdon. Fasadat dhe kurbanet nuk çrrënjosin të keqen”, thote Basha.

Sipas kreut të PD-së, tani është momenti të shtojmë presionin, të rrisim vigjilencën. “Tani është momenti i largimit të çdo narkotrafikanti nga zyrat e shtetit, çlirimi i vendit nga kthetrat e drogës dhe nga narkopolitika”, thotë Basha.

LSI: Politika të mbështesë policinë
“Aksioni në Lazarat kundër narkotrafikantëve, me shumë rëndësi

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së ka dalë në konferencë për shtyp për të shprehur mbështetjen e forcës që ai përfaqëson ndaj forcave të policisë të përfshira në aksionin që po zhvillohet prej orëve të para të së hënës në Lazarat, kundër grupeve kriminale të drogës.

“Është një aksion i mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e Shqipërisë që më së fundi po shohin atë që kanë kërkuar prej kohësh, që rendi dhe ligji të dominojnë në Shqipëri dhe shteti të kontrollojë çdo pjesë të territorit të tij. Por më shumë, ky aksion ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, që po shohin se policia po përballet dhëmbë për dhëmbë me krimin, të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, dhe policia të mos jetë përkrahëse e grupeve kriminale, grupeve të organanizuara. LSI mbështet fuqishëm këtë aksion të policisë në Lazarat, për sakrificat e Policisë së Shtetit ndaj elementëve kriminalë. Policia në mënyrë të pandërprerë po vazhdon të përballet me kriminelët në një zonë që, në mënyrë të padrejtë përzien respektin ndaj banorëve të thjeshtë me lajmin e keq të krijuar nga grupet kriminale. Ne jemi në mbështetje të aksionit prej ditës së parë e deri në ditën e fundit të zhvillimit të tij, e vlerësojmë dhe e mbështesim fuqishëm, ndaj dhe sigurojmë cdo qytetar që, më në fund të qëndrojë i qetë, pasi kanë policinë e duhur, që vepron në vendin e duhur për të mbrojtur ata nga grupet e kriminelëve. Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët e Lazaratit të kontribuojnë dhe të ndihmojnë të gjitha forcat e policisë dhe të mos bëhen palë me grupet kriminale”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

SHBA mbështet operacionin në Lazarat
“Autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht me të gjithë fuqinë e ligjit

Në lidhje me operacionin në zhvillim e sipër në fshatin e Lazaratit ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Në një deklaratë për shtyp, përfaqësia diplomatike amerikane në Shqipëri mbështet Policinë e Shtetit për vendosjen e kontrollit në një zonë që cilësohet “kronike e kultivimit të kanabisit”, ndërsa bën thirrje për shmangjen e viktimave.

“Ambasada e SHBA mbështet fort përpjekjet e oficerëve ligjzbatues shqiptarë për trajtuar çështjen e kultivimit të jashtëligjshëm kronik të kanabisit në zonën e Lazaratit. Shpresojmë të merret çdo masë paraprake për të shmangur viktima dhe bëjmë thirrje që autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht me të gjithë fuqinë e ligjit dhe të dënohen në mënyrë të përshtatshme. Po ashtu, dënojmë dhunën e drejtuar kundër zyrtarëve ligjzbatues dhe gazetarëve”, thuhet në deklaratë.

Top Channel