BE: Shqipëria në rrugën e duhur

17/06/2014 00:00

Brukseli çmon se“Shqipëria është në rrugën e duhur” me aksionin e djeshëm të policisë në Lazarat.

“Operacioni i suksesshëm i policisë.., tregoi qartësisht vendosmërinë e Shqipërisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe drogës” reagoi në “Twitter”, menjëherë, Komisioneri Fyle.

“Në mënyrë të qartë, lufta e Shqipërisë ndaj drogës duhet intensifikuar më tej,” sqaron zëdhënësi Peter Stano, duke shtuar se ky veprim përforcon atë çka nënvizoi Komisioni në raportin e qershorit. “Ndjekja e efektshme dhe pa pengesa nga prokuroria dhe gjykatat është thelbësore,” kujton Komisioni.

Ndërkohë që në Këshillin e BE-së kanë vijuar bisedimet mbi Shqipërinë në nivelin e përfaqësuesve të vendeve anëtare që merren me Ballkanin, në kuadër të përgatitjes së konkluzioneve për 28 Ministrat e përgjithshëm, përpara se t’i përcillet samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive.

Mësohet se ndërsa“Holanda ka sqaruar pozicionin pozitiv të qeverisë, por që pret vlerësimin e parlamentit, gjatë dy ditëve në vijim”, Britania e Madhe “po shqyrton ende raportin e qershorit të Komisionit.”

“Nëse nuk arrihet kompromisi gjatë nivelit tjetër nesër, mbeten edhe dy mbledhje ambasadorësh përpara ministerialit të 23 dhe 24 qershorit” u shpreh me optimizëm një diplomat europian, i pyetur mbi ngurimin e Londrës.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel