Lufta civile në Siri nuk rresht

18/06/2014 00:00

Deri në pikën e fundit të gjakut. Pa ndihmë nga jashtë dhe me avancimin e forcave të regjimit, rebelët sirianë nuk duhet të jenë më aq të sigurtë se lufta e tyre nuk është e humbur.

Megjithatë, vazhdojnë të mbeten sfidues. Në Damask, tre vite konflikti kanë lënë gjurmën e vetë; të shtënat në periferi janë bërë pjesë e së përditshmës.

Dy botë përplasen në kryeqytetin sirian: njëra i përket Bashar al Assad dhe besnikëve të tij, tjetra fshihet në rrugët e ngushta e ndërtesat gjysmë të rrënuara ku rebelët vazhdojnë rezistencën.

Jeremy Bowen i BBC rrefen nga Kabuni, lagje e kontrolluar prej kundërshtarëve të regjimit, se sa e vështirë është jeta për njerëzit atje.

“Shpërthime bombash, predha mortajash, të shtëna, me këto përballemi përditë, po ku të shkojme tjetër”, thonë banorë të zonës që ndajnë bindjen se rebelët do të triumfojnë.

Regjimi është i padrejtë e i pandershëm, shtojnë ata, dhe historia e ka treguar se padrejtësia nuk zgjat përjetësisht. Kabuni ka një lloj organizimi të vetin. Në të gjithë lagjen funksionon një rrjet klinikash, dhe një mensë e nëndheshme ofron gati 3.000 vakte falas në ditë.

Kreu i rebelëve atje, Abu Ammar thotë se bashkë me njerëzit e tij do të luftojë deri sa Bashar al Assad dhe regjimi i dhunës të shporren një herë e mirë.

Vetëm 20 minuta larg me makinë, në qendrën e Damaskut, përkrahësit e presidentit mbushin rrugët me flamuj në duar, ndërsa nga disa automjete dëgjohen tinguj këngësh lartësuese për Bashar al Assadin.

Vetë presidenti sirian nuk ka qenë në pozitia më të mira se tani që prej fillimit të luftës. Kundërshtarët refuzuan t’i njohin zgjedhjet e fundit presidenciale, të cilat i konsiderojnë një turp dhe mashtrim.

Por nga këndvështrimi i kreut të shtetit, triumfi ishte dërrmues dhe çfarëdo që të thotë bota jashtë për votimet, njerëzit e Assad i konsiderojnë ato provën e qartë të faktit se ai është në krye të vendit me pëlqimin e popullit sirian.

Top Channel