Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov vizitoi Beogradin, prej nga deklaroi se Rusia e kupton integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ndonëse kërkon një hapësirë tregtare të përbashkët për tërë Evropën dhe Azinë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç u shpreh se, Serbia do të ishte e humbur pa Rusinë dhe e falëndëroi atë për mbështetjen në çështjen e Kosovës.

“Falenderoj Federatën Ruse dhe sidomos ministrin për përfshirjen e gjatë në problemet që Serbia ka lidhur me Kosovën. Sikur të mos kishim mbështetjen e Rusisë dhe Kinës si antëare të Këshillit të Sigurimit, ne do të ishim në një pozitë pothuajse të humbur”, deklaroi Daçiç.

“Për ne janë të papranueshme ndarjet e reja në Evropë dhe ne besojmë se është e nevojshme të jetojmë në një hapësirë të përbashkët”, tha nga ana e tij Lavrov. Gjatë takimeve të Lavrov në Beograd u diskutua kryesisht për ekonominë.

Serbia pati kritika nga Brukseli për mosndjekjen e linjës së përbashkët si kandidate për integrim, pasi zyrtarët serbë nuk patën qëndrim të qartë ndaj Rusisë pas konflikteve në Ukrainë. Serbët, aleatë historikë me rusët, u ndodhën në një situatë të padëshirueshme.

Top Channel