Berisha përjashtohet nga Parlamenti

19/04/2014 00:00

Një deklaratë ofenduese e ish-kryeministrit Berisha në drejtim të ministrit Erjon Veliaj ka bërë që byroja parlamentare ta përjashtojë atë për 10 ditë nga Kuvendi, duke shënuar edhe vendimin e parë të përjashtimit të një deputeti në këtë sesion parlamentar.

Deklarata e Berishës u cilësua tejet e rëndë nga byroja e Kuvendit, ndërsa opozita menjëherë pas këtij incidenti u largua nga seanca. Ministri Veliaj reagoi jashtë sallës parlamentare.

“Sot ishte taksirat i disa prej nesh, nesër taksirat i dikujt tjetër, ashtu si për 23 vite taksirat i të gjithë shqiptarëve që të dëgjojnë lloj-lloj banalitetesh dhe rrugaçërie nga ky njeri. Unë kam bërë një betim publik që unë me familjet e të tjerëve nuk merrem. Nuk dua ta di as të kujt janë fëmijët, as se sa herë janë martuar, as se si janë pasuruar sepse gjykoj që kultura e të futurit poshtë çdo fustani, poshtë krevatit dhe në vrimën e çelsit është një kulturë shumë e ndyrë. Është taksirati ynë që të dëgjojmë një plak, një palaço i cili na imponohet me helm dhe baltë. Unë refuzoj të jem pjesë e baltës”, tha Veliaj.

Deklarata e Berishës ishte kulmimi i një seance që pritej të ishte e tensionuar për shkak të operacionit policor në Lazarat.

“A ka biseduar Sali Berisha pak minuta para dorëzimit me Gate Mahmutaj? Të japë përgjigje për këtë çështje. Si shpjegohet që në shumicën e telefonave të të arrestuarve numri kryesor ishte numri i Sali Berishës? Gojët e liga thonë që sapo e ka akuzuar Gaten si tradhëtar të kauzës, por këtë le të vijë ta shpjegojë. Unë kam edhe disa pyetje të tjera. Cili është roli i Gates në PD-në e Gjirokastrës? Ju që akuzoni për lidhje me drogën, si ka mundësi që kryetari i Partisë Demokratike në Tepelenë u zgjodh Petrit Abedini, i arrestuar për drogë?! Si ka mundësi që PD e Gjirokastrës nuk flet fare në këto momente, kur anëtarët e kryesisë së saj, përfaqësues të Lazaratit janë të arrestuar me akuzën për trafik droge? Dhe e fundit që doja t’u thoja, a ka mundësi që të na thoni se cfarë roli të rëndësishëm ka lagjja Mahmutaj në zgjedhjet e 23 qershorit, e cila ju mundësoi marrjen e mandatit të vetëm në Gjirokastër? “, tha në fjalën e tij, deputeti socialist, Taulant Balla.

“Po mor po! Ju do bëni operacione?! Po ju i tradhëtoni operacionet more! Ju njoftuat bandat para se të niseshit! Por çfarë do bëni ju? Nuk mbroj gjë unë, unë luftoj krimin. Mbështes cdo përpjekje, por jeni trafikantë! Kërkoj urgjent të hiqen njësitë nga Derviçiani! Keni mbushur kishën e Derviçianit nme qindra e qindra policë. Ngrini çadra zotëri! Është marrëzi që policia e armatosur deri në dhëmb shtin me mijëra batare duke bërë lojën e grupeve kriminale”, tha Berisha.

“Prisja që të bënin thirrje për dorëzimin e grupit të zjarrit, por edhe këtë nuk e bënë, madje kaluan në krahun tjetër duke u bërë zëdhënës të grupit të zjarrit duke sulmuar Ministrin e Brendshëm”, replikoi deputeti Balla.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha :
“Gate Mahmutajn nuk e njoh personalisht, por ta dini që kapobandat janë
në Tiranë, në këtë sallë. Ndërsa kapobandat e Lazaratit u njoftuan një
ditë përpara të largoheshin. Ne kemi mbështetur forcat e rendit që
luftojnë narko-trafikun, por nuk mbështesim deklaratat e ministrit që
duket se kërkon gjakderdhje duke folur me maskat mbrapa. Po nxirren nga
shtëpitë e tyre banorë të pafajshëm të Lazaratit dhe këtë nuk e
pranojmë. Aty janë 5000 banorë që nëse do të ndihen të kërcënuar, do të
dalin të mbrojnë veten. Nuk mund të presim që narko-trafiku të luftohet
nga këta dy njerëz (Rama dhe Tahiri). Asnjë deputeti të PD-së nuk i ka
dalë emri në Lazarat.”

Partia Demokratike bojkoton Parlamentin

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka njoftuar pasidten e së enjtes vendimin e kësaj partie për të bojkotuar Parlamentin, pas ndëshkimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për fjalorin ofendues.

“Jam këtu për të shpallur vendimin e Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar, për bojkot të Kuvendit deri në një njoftim të dytë, në shenjë proteste ndaj aktit të sotëm të përjashtimit të Sali Berishës”, deklaroi Paloka.

Për të marrë këtë vendim grupit parlamentar të Partisë Demokratike iu deshën vetëm disa minuta, sepse opozita e konsideron përjashtimin e ish-kryeministrit njërin prej akteve më të rënda për faktin e vetëm se, sipas PD, zoti Berisha bëri publik sjelljen e papranueshme të kryeministrit Rama.

“Sali Berisha e denoncoi këtë degjenerim etik dhe moral të kryeministirt sot në sallën e Kuvendit dhe për këtë u dënua. Përjashtimi i Sali Berishës është një akt i dhunshëm i dyshes Rama-Meta, një përpjekje ekstremiste për të eleminuar opozitën parlamentare”, theksoi Paloka.

Më herët se mbledhja e grupit, në një konferencë shtypi, të parën nga selia e Partisë Demokratike që kur dha dorëheqjen, ish-kryeministri Berisha e cilësoi si një nder që po i bënin kundërshtarët politikë, përsa kohë, sipas tij, janë ata që përdorin pushtetin për të sulmuar qytetarët dhe deputetët e opozitës.

“Ata të cilët kanë inkurajuar incidentet më të rënda në Parlament, përdorimin e rripit, sharjet më brutale ndaj deputetëve të opozitës, tani na bëjnë të virgjërin. Ballafaqimi është ruga e së vërtetës dhe unë të vërtetën do ta mbroj çdo ditë, kudo që ndodhem me vendosmërinë më të madhe”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri nuk ndihej i penduar për fjalorin e përdorur, sepse siç tha ai, kjo nuk është sjellja e tij, por e Edi Ramës.

“Absolutisht unë nuk them asnjë fjalë të tillë, përveç ato që thotë Edi Rama. A keni dëgjuar ndonjëherë në botë që të merren masa ndaj citimit? Është rast unik që të merren masa ndaj citimit. Autorësia është e kryeministrit. Ai nuk tha jo, nuk tha nuk e kam thënë. Nëse dikush nuk guxon t’i citojë ato, ky nuk është Sali Berisha. Sali Berisha do t’i thotë ato dhe do t’ia përplasë në fytyrë sa herë ai të thotë fjalë të tilla. Jam betuar në Parlament që do t’ia them”, u shpreh Berisha. 

Top Channel