Operacioni i forcave policore në Lazarat dhe shkatërrimi i sasive të mëdha të lëndës narkotike në këtë zonë, ka sjellë menjëherë rritjen e çmimit në tregun grek të narkotikëve.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë helene thanë se agjentët grek të anti-drogës kanë vënë re një rritje të çmimit të kanabisit në tregun vendas.

Kjo rritje i dedikohet operacionit të policisë shqiptare në Lazarat, dhe pasigurisë që tashmë kanë trafikantët për ta kaluar drogën në kufirin greko-shqiptar, për shkak të masave të rrepta për ruajtjen e kufirit prej policisë së dy vendeve.

Burimet sqaruan se ka sinjale të qarta të mungesës së drogës në treg, si dhe rritje të çmimit të saj me kalimin e ditëve, edhe pse në depot e trafikantëve mbahen ende sasi të importuar përpara fillimit të operacionit në Lazarat.

Ndërkohë, një sasi prej 348 kilogramësh lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa, është sekuestruar prej rojes bregdetare të Patras, gjatë një operacioni të zhvilluar në portin e këtij qyteti.

Sipas autoriteteve greke, sasia e lëndës narkotike ndodhej në një kamion të ngarkuar me shalqinj, që kishte për destinacion Gjermaninë. Në pranga është vënë shoferi i kamionit, një shtetas grek 50 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur një shtetas shqiptar, i implikuar në këtë trafik.

Pas ngjarjeve të ndodhura në Lazarat, edhe Drejtoria e Policisë së Epirit deklaroi se ka vënë në gatishmëri efektiva të rojes kufitare dhe anti-drogës, në zonën e Janinës, për kapjen dhe arrestimin e personave, që mund të tentojnë t’i shpëtojnë policisë shqiptare, gjatë operacionit që po zhvillohet në Lazarat.

Sipas burimeve nga kjo drejtori janë dyfishuar kontrollet në kufirin jeshil, kurse dhjetra policë monitorojnë me kamera termike lëvizjen në këtë zonë kufitare.

Top Channel