Policia ‘zapton’ gjithë Lazaratin

19/06/2014 00:00

Në mesditë nisi ai që mund të quhet aksioni për marrjen nën kontroll të gjithë Komunës së Lazaratit. Avancimi i policisë në ditën e 5-të ka qenë shumë më i shpejtë.

Policët kishin një nga synimet primare marrjen e një pike ku një person qëllonte vazhdimisht me mitraloz të rëndë 12.7 milimetra. Në orën 16:00 edhe kjo pikë është marrë nga policia, por atje është gjetur vetëm arma që për katër ditë rresht terrorizoi gjithë zonën. Me një armë të ngjashme është qëlluar vazhdimisht policia.

Në çdo shtëpi janë gjetur sasi droge, ndërsa avancimi vijon në rrugët e zbrazura dhe shpesh të mbuluara nga tymi i hashashit. Policia ka bllokuar edhe një kazino në qendër të fshatit, ku gjenden 20 makina elektronike dhe tre ruleta të cilat janë sekuestruar. Me më pak forca, por me më shumë shpejtësi, RENEA dhe FNSH janë ngjitur në rrugët e pjerrëta të fshatit për të marrë nën kontroll edhe atë që quhet Qendra e Sipërme.

Nuk ka pasur rezistencë as në këtë pikë, ndërsa kontrolli ka vijuar në çdo shtëpi edhe në prani të banorëve. Drejtoria e Policisë njofton se është gjetur dhe sekuestruar një arsenal shumë i madh municioni në gjithë zonën, por edhe në pika të veçanta. Sasia kërkon kohë të regjistrohet, ndërsa policia ka zbuluar edhe më shumë prova.

Krismat sporadike të një mitralozi janë dëgjuar në një zonë të izoluar, ndërsa me rënien e dritës në fshat kanë nisur të kthehen ata banorë që kishin ikur për t’u mbrojtur jashtë fshatit.

Operacioni më i madh policor në Lazarat nisi të dielën dhe duket se pas 5 ditësh përfundoi etapa më e rrezikshme. Tani policia po nis punën për të hequr çdo armë e rrënjë hashashi nga Lazarati.

Në total janë arrestuar 13 persona, 5 të fundit janë shtetasit Rustem Xhemal Mahmutaj, 19 vjeç, Teslim Xhemal Mahmutaj, 22 vjeç, Vandam Razip Mahmutaj, 19 vjeç dhe Hysen (Neni) Çela, 48 vjeç.

Këta shtetas akuzohen për veprat penale të vrasjes së punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak, kultivimi i bimëve narkotike. Të arrestuarit dyshohen se së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë gjatë operacionit të ndërmarrë në fshatin Lazarat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1 mijë fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.

Top Channel