Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar të enjten koalicion e ri qeverisës të drejtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet e parakoshme të muajit prill.

Për qeverinë e re votuan pro 77 deputetë nga 123 që ka parlamenti i Maqedonisë, ndërsa 6 të tjerë votuan kundër. Në këtë seancë nuk ishin të pranishme partitë e opozitës, të cilat pretendojnë se zgjedhjet e muajit prill ishin jokorrekte.

Në postet kryesore qeveritare, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Financave dhe atë të Jashtme, janë të njëjtët ministra që ishin dhe në qeverinë e mëparshme.

Partneri shqiptar në qeveri është sërish Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila do të ketë pesë ministri dhe dy poste zëvendësministrash.

Në fjalimin e tij në Parlament, kryeministri Gruevski deklaroi se zhvillimi ekonomik i vendit dhe integrimi i tij në NATO do të jenë prioritetet e kabinetit të tij.

Nga ana tjetër, Gruevski theksoi se Maqedonia nuk do të ndryshojë emrin e saj kushtetues, pasi sipas tij është një kontest i imponuar në mënyrë artificiale nga Greqia.

“Qeveria nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe nuk do të pranojë ide e propozime që do të rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e gjuhës dhe kombit maqedonas”, deklaroi Gruevski. 

Top Channel