Sirianët, të braktisur nga Europa

20/06/2014 00:00

Edhe përpara votimit për Parlamentin Europian, pretendimet e refugjatëve sirianë për strehim në fortesën e BE-së, më së shumti ndesheshin me një mur gati të pakapërcyeshëm.

Ndienjat e forta anti-emigracionit, triumfuese në zgjedhjet e fund-Majit, nuk do të ndihmojnë aspak në fashitjen e këtij problemi.

Statistikat janë të zymta. Përgjatë konfliktit trevjeçar, 9 milionë sirianë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Rreth dy të tretat e të shpërngulurve mbetën brenda vendit, të gjymtuar nga konflikti; një pjesë u përpoqën të sistemohen në shtetet fqinje, dhe më pak se 100,000 gjetën sigurinë në Europë.

Një bilanc ky, që kontraston ndjeshëm me retorikat europiane të të drejtave të njeriut dhe qasjen e kontinentit të vjetër ndaj krizës së refugjatëve. Një dokument i Komisionit Europian, i publikuar muajin që shkoi, i nxiste fqinjët e Sirisë të “hapnin kufijtë për kalimin pa dallim të civilëve, ashtu siç e diktojnë parimet e ligjit humanitar ndërkombëtar”.

Ama kufijtë e saj, rreptësisht të kontrolluar e patrulluar, janë thuajse të pakalueshëm. Një ironi e hidhur, thonë korrespondentët e huaj, duke pasur parasysh se të përjashtuarit janë njerëz, që i largohen tmerreve të një lufte të shkaktuar pikërisht nga dëshira për të mbështetur ato vlera demokratike, aq fort të trumbetuara brenda caqeve të bllokut europian.

Nga Siria, rrugët kryesore për në Europë i çojnë refugjatët nëpër Turqi, drejt kufijve tokësore me Greqinë apo Bullgarinë, ose i shohin të ngjiten në barka të tejmbushura e tmerrësisht të pasigurta, nga Libia dhe Egjipti në Itali.

Asnjë prej këtyre opsioneve nuk bart në vetvete garanci suksesi. Përkudrazi, “Amnesty International” regjistron shtim të patrullave, pajisjeve dhe personelit në kufirin bullgar, si dhe shpeshtim të kontrolleve të rojeve bregdetare greke, që rregullisht diktojnë varkat e nisura nga Turqia e i kthejnë mbrapsht.

Top Channel