Vjenë, nis hartimi i draftit mbi Iranin

20/06/2014 00:00

Diplomatët në Vjenë thonë se kanë nisur të hartojnë draftin e marrëveshjes përfundimtare të plotë, për të zgjidhur ngërçin mbi aktivitetet bërthamore të Iranit. Por, ministri i Jashtëm iranian tha se ka ende çështje kyçe “të pazgjidhura”.

Ky lajm vjen pas 5 ditësh bisedime mes Teheranit dhe të ashtuquajturve P5+1 – SHBA, Britani, Francë, Kinë, Rusi dhe Gjermani, – në një përpjekje për t’u takuar përpara 20 Korrikut, për marrëveshjen. Zyrtarët e BE thonë se raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të mbahet më 2 Korrik.

“I kemi prezantuar njëri-tjetrit një numër idesh mbi disa çështje, si dhe kemi nisur procesin e hartimit”, tha zëdhënësi i shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, pas raundit të 5 të bisedimeve, që përfundoi të premten.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, tha se i janë afruar së tepërmi një marrëveshjeje mbi kuadrin e përgjithshëm të një marrëveshjeje të plotë.

“Ende nuk kemi kaluar mosmarrëveshjet mbi disa çështje madhore”, tha ai për reporterët, pas negociatave në Vjenë. “Ka pasur progres, por sërish mbeten disa ngërçe”, shtoi ai.

Vendet e P5+1 shpresojnë të arrijnë një marrëveshje përpara 20 Korrikut që do të ulë ndjeshëm aktivitetet e ndjeshme bërthamore të Iranit, për t’u siguruar se Teherani nuk do të ndërtojë armën bërthamore.

Top Channel