Për Lazaratin post-hashash

21/06/2014 00:00

Nga Aleksandër Çipa: Pas pak ditësh, emri i Lazaratit do të iki prej titrave dhe raportimeve të medias shqiptare. Do të ngjasë si me çdo ngjarje të tejkaluar. Pas kaq vitesh (gati dy dekada), u mbyll historia e një “oazi” antiligj që u ngrit ashiqare si karshillëk ndaj shtetit, falë një kooperimi flagrant mes trafikantëve që s’ishin dhe u bënë dhe politikanëve që ishin dhe mbesin. Kjo ortakëri është e paprekshme prej gjithë kohës së tranzicionit. Është ndër më të qëndrueshmet fatkeqësisht, në realitetin shqiptar. U ndërtua me protagonizëm të dukshëm e të pashpallur, u mbrojt ashiqare dhe u trashëgua nëpër rotacionet qeverisëse të kësaj periudhe, por pa kurrfarë kompleksi, prej dy kategorive të këtij partneriteti.

Nuk ka nevojë të investigohet se kush dhe si u mishërua bashkëjetesa përfituese mes politikanëve dhe trafikantëve apo kultivuesve të hashashit në visin e dalë jashtë kontrolli të këtij fshati. Mjafton pohimi i ish-kryeministrit Berisha në seancën e fundit të Parlamentit, kur deklaroi se: “Kisha vendim politik të mos ndërhyja”, që të ngresh jo vetëm hamendësime, por të kuptosh qartë se çfarë ka bërë politikani dhe kasta politike e këtij tranzicioni me antiligjin. Një ortakëri, e cila mbetet e pandëshkueshme dhe që në mënyrën më të hapur, i bën karshillëk standardit të dyfishtë të respektimit të ligjit. Në Lazarat, policia ka prangosur disa prej atyre që rezistuan me armë e lloje të shumta municionesh ndaj operacionit për marrjen nën kontroll të fshatit. Por hetuesit ende nuk kanë kapur një organizator, një “kapo”, një të fortë e një të “kamur” prej këtij trafiku shumëvjeçar, që ka lidhje me miliona e miliona euro të paligjshme.

Por ata janë çirakët e deritanishëm të përfitimit multimilionësh prej bimës që kultivohej e korrej e trafikohej nën sytë e shtetit dhe nëpër rrugët që patrullon policia shqiptare në kaq vite. Solidarët dhe bashkëpunëtorët me uniformë e me detyra vështirë se do të jenë ndonjëherë pjesë e këtij procesi!

Urdhërdhënësit janë historikisht të pandëshkueshëm në këtë vend. Urdhërdhënësit dhe përfituesit e thelës së madhe janë uzurpatorët e pashpallur të shtetit, ligjit dhe drejtësisë.

Ky çlirim duket se do të jetë ende shumë i vonuar, pasi reformimin e sistemit nuk mund ta realizojnë uzurpuesit apo dobësuesit, sakatuesit apo gjymtuesit e ligjit, drejtësisë dhe shtetit ligjor.

Periudha e tashme post-hashash në Lazarat është një kohë me pak të panjohura dhe disa të njohura të parathëna. Pas mbylljes së operacioneve dhe pauzës dy apo tremujore, a do të dalin sërish në rrugën kombëtare banorët e këtij fshati-komunë? Natyrisht nuk do të dalin më me armë apo me mjete të tjera që sfidojnë Policinë e Shtetit, por me cilësinë e banorëve dhe shtetasve në nevojë, për punë dhe për investime. Kjo natyrisht për shumëkënd mund të vlejë si alibi, për gjasme dëshpërimin e “rënies dhe futjes nën kontroll prej shtetit”. Mirëpo diçka tjetër do të qëndrojë ende me gjithë tinëzaritetin dhe përfitimin e saj të ardhëm dhe që lidhet me “ortaken” që braktisi një biznes, por nuk ka për të humbur një zakon. E kemi fjalën për ortaken e përdorimit politik të të varfërve, të të mbeturve pa punë dhe të atyre që politikisht shihen e janë parë, me syrin e “bastionit të tjetrit”.

Në Lazarat është shuar mbjellja e hashashit dhe gjithë hangari aktual u dogj. Kjo është fitore e madhe dhe me jehonë për imazhin e sotëm të shtetit shqiptar.

Mirëpo a ka dalë nga Lazarati politika? E kemi fjalën për atë “ortaken” negative të kultivuesve dhe trafikuesve të hashashit?! Ky operacion nuk ka nisur dhe gjasat janë të presë një kohë të largët për t’u nisur. Rezistenca e kësaj ortake ka rimbërritur dhe rishfaqet hapur vetëm në Tiranë.

Seanca e fundit e debatit dhe polemikave poshtëruese, me fjalor të paskrupullt dhe dhunues në sallën e Parlamentit, është pamja e ringritur e solidaritetit të politikës dhe disa politikanëve me krimin dhe disa prej produkteve të tij. Kjo rezistencë e rishfaqur në Parlament, nuk e tejkalon dot qytetarinë dhe solidaritetin e banorëve të shumtë të Lazaratit, të cilët me një vullnet të heshtur dhe pranues nuk u bënë pjesë e skenarit përgjakës të vetes apo të Policisë së Shtetit në operacionin e pesë ditëve të fundit. Ky mesazh i banorëve të fshatit–komunë që tranzicioni i shtoi pezhorativitetin, për shkak të kësaj ortakërie të pistë krim-politikë, le të lexohet drejt së pari nga qeveria e Kryeministrit Rama. Është fjala për një prezencë dhe prani të shtetit e qeverisë në përditshmërinë e tanishme dhe të ardhme në Lazarat. Kjo do të evitonte çdo lloj alibie për rishfaqjen e së keqes, por do të adresonte atë që ka munguar, praninë ndihmuese në shpirtin dhe mentalitetin që e keqja dhe paligjshmëria e tranzicionit rrënjosën në këtë hapësirë. Në Lazarat, përderisa ka ikur hashashi, duhet të rikthehet administrata dhe investimi, të formësohet kori dhe vokacioni civil e shtetdashës i banorëve, të rinjve dhe sidomos përfaqësuesve me dije e vlera, asete dhe dëshira të kësaj komune. Një nismë bashkëpunimi me emigrantët e kësaj komune, do të rikompozonte edhe optikën për të ardhmen pa hashash dhe pa atë fryt antiligjor që rrënjosi brutalisht krimi me ortaken e vet, politikën.

Por, që të ngjasë kjo, politika nuk mund të ngrejë një alibi të re për ortakërinë e humbur me të keqen në Lazarat.

Vini re: Dje, qeveria i kërkoi prokurorisë të shtojë numrin e prokurorëve që duhet të merren me të gjitha akuzat dhe paditë, me gjithë investigimin dhe hetimin gjyqësor për botën dhe kohën e hashashizimit e atë të trafikimit nga Lazarati nëpër vise të vendit dhe në shtetet fqinje. Me kohë do të duhej instaluar një task-forcë apo qoftë edhe një komision hetimor për këtë histori dhe gjithë protagonistët, për gjithë ortakëritë dhe përfituesit, për lidhjen dhe rrjetet, për destinacionet dhe depozitat e përfitimeve të vjela vit pas viti prej hashashit në Lazarat dhe në “gropa të tjera antiligj” të këtij vendi. Vonesa dhe hezitimi, për të pasur një establishment funksional të drejtësisë dhe ligjzbatimit në gjykimin, zbulimin dhe ndëshkimin e personazheve të trafikut dhe përfitimit prej hashashit, ka lidhje vetëm me ortakët e pushtetshëm që shkëlqejnë përmes politikës ndotëse dje dhe sot. Nëse kjo nuk ngjet, betejat që fitohen prej ushtrisë së policëve në “oazet e hashashit”, hapin shumë e shumë më tepër gropën e antiligjit në kryeqytet dhe në krejt hapësirën administrative të republikës.

Top Channel