Gruaja mbaron gjimnazin 91 vjeç

21/06/2014 00:00

Nuk është kurrë vonë për t’u shkolluar dhe këtë e tregoi qartë Rosalie Kone, 91-vjeçarja nga Konektikati i Shteteve të Bashkuara që përfundoi gjimnazin pas 70 vitesh shkëputjeje.

Rosalie e la shkollën në 1944-n për t’u regjistruar në krah të grave ushtare sepse dëshironte t’i shërbente vendit të vet. Të gjithë vëllezërit i kishte ushtarë dhe ajo thjesht nuk deshi të qëndronte në shtëpi duke pritur.

Kone shërbeu në Europë në mënyrë të shkëlqyer, duke fituar një sërë medaljesh, përfshirë tre yje bronxi, shpërblimi për akte trimërie. Por ky vendim, sado fisnik, e detyroi nga ana tjetër të braktiste studimet.

Një shkollë e mesme e Windsor Locks, qyteti ku ajo jeton, mësoi mbi shërbimin e saj dhe e ftoi të mbante më në fund kapelen e diplomimit. Kone, bijtë dhe nipërit e së cilës janë shkolluar që të gjithë, pati edhe ndihmën e nxënëseve shumë më të reja të klasës së vet.

“Bëj çfarë duhet të bësh, por mos hiq dorë nga gjërat e rëndësishme, sepse ashtu do të mbetesh në vend. Thjesht mos u dorëzo, por përpiqu deri ne fund”, u shpreh ajo.

Diplomimi i veteranes së Luftës së Dytë Botërore u zhvillua të premten në gjimnazin e Windsor Locks.

Top Channel