Bllokohen drogë dhe armë në Lazarat

22/06/2014 00:00

Të paktën 60 banesa u kontrolluan nga policia paraditen e së dielës në Lazarat, ku u gjetën më shumë se 1 ton e 460 kg marijuanë si edhe 17 mijë bimë narkotike të kanabisit.

Policia duke dhënë detajet e operacionit të fundit të kryer në fshat në cilësinë e provës materiale tha se bllokoi edhe 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, që përftohet nga zierja dhe gatimi i hashashit, 3 kg farë kanabis sativa, 34 armë zjarri automatike e pushkë, 2 pistoleta, 2 granata-hedhës, 1 anti-tank, si edhe  3 armë gjahu.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale për t’i shërbyer dokumentimit të veprave penale për të cilat akuzohen të arrestuarit u sekuestruan edhe 10 armë të djegura, 13.432 fishekë të llojeve të ndryshme, 87 granata, 162 kallëpë tritol, 26 predha granata-hedhësi. U bllokuan për këqyrje të mëtejshme 7 automjete, u sekuestruan 2 targa automjetesh,  janë sekuestruar 6 pajisje presuese droge, si edhe një aparat kërkues floriri. Policia tha se do të vazhdojë sërish kontrollet edhe në disa banesa të tjera të cilat kanë mbetur pa u këqyrur.

Në operacionin e mbrëmjes së të shtunës, policia arrestoi Minush Brahimin, 21 vjeç, pasi dyshohet se ka qëlluar më armë ndaj forcave të policisë gjatë operacionit të zhvilluar ditët e fundit. Ai është identifikuar që të ketë hapur zjarr ndaj policisë. Akuza që do të ngrihet ndaj 21-vjecarit është ajo e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë”. Gjithashtu u arrestuan për akuzën e prodhimit të bimëve narkotike dhe armembajtjes pa leje Laçe Koli, 69 vjeç, si edhe Gjirit Malaj, 30 vjeç.

Në total që kur ka nisur operacioni janë arrestuar 21 persona nën akuzën e sulmeve me armë ndaj policisë dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Deri më tani janë kontrolluar mbi 413 banesa, ku janë shkatërruar 112.152 rrënjë bime dhe është gjetur një sasi prej 40 ton hashash e gatshme për treg.

Është asgjësuar mbi 42 ton kanabis

Gjatë pasdites së të dielës Policia e Shtetit ka publikuar rezultatet e deritanishme të operacionit të zhvilluar në fshatin Lazarat.

Deri tani janë asgjësuar në total 133.219 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, gjithashtu janë asgjësuar 42 ton 990.415 kg kanabis sativa.

Gjatë këtyre ditëve të aksionit policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e 142 armëve të zjarrit, automatikë dhe pushkë, ndërsa janë kontrolluar deri tani 529 banesa. 

Lazarat, në fshat rinis jeta normale

Fundjavën e parë të rifillimit të jetës si një fshat i zakonshëm, në rrugë duken pak njerëz. Rrugicat ende janë të zbrazëta dhe forcat speciale nuk i kanë braktisur pozicionet në pikat më dominuese. Shtëpitë filluan të pupullohen në orët e para të mëngjesit dhe gratë po rivendosin rregullin nëpër oborre e ballkone.

Gjatë natës shumë banorë nxorrën sasinë e fundit të marijuanës që po vazhdon të digjet para kontrollit të policisë. Por gjurmët e kultivimit prej dy dekadash nuk mund të fshihen.

Kudo duket infrastruktura e ngritur në funksion të kanabisit, depozita të mëdha uji, pleh, gropa të hapura, kubikë plastikë për bimët dhe mjete të shumta pune. Në çdo magazinë, stallë apo hangar policia ka gjetur vegla prashitjeje, qindra gërshërë dhe pajisje për tharjen e bimëve.

Fshati popullohet këtë fundjavë kryesisht nga gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat u rikthyen pranë familjeve në ato shtëpi ku policia nuk identifikoi bimë të mbjella apo sasi marijuane. Më shumë se dy të tretat e banorëve të fshatit presin përfundimin e veprimeve hetimore për t’u kthyer në shtëpi.

Shumica e mjediseve të shërbimit, bare, lokale dhe dyqane janë të mbyllura ende, por banorët mendojnë se normaliteti është rikthyer. Situata më e vështirë besohet se ka kaluar. Policia po asgjëson sasi të mëdha marijuane, ndërsa kontrollet nëpër shtëpi vazhdojnë me ritme të shpejta.

Deri tani skuadrat e ekspertëve mendohet të kenë krehur më shumë se 60% të hapësirës së fshatit, ndërsa faza e dytë e operacionit për asgjesimin e çdo rrënje kanabis pritet të shkojë paralelisht me rivendosjen e normalitetit në bastionin e dikurshëm të trafikantëve.

Top Channel