Lazarati dhe heshtja pa nam e nishan e Presidentit Nishani

22/06/2014 00:00

Andrea Stefani – Operacioni i Policisë së Shtetit për asgjësimin e kartelit të drogës në Lazarat ka bërë të flasë shumëkënd, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por aspak Bujar Nishanin, Presidentin e Republikës. Mos vallë e pengon Kushtetuta të thotë një fjalë për sa ka ndodhur e po ndodh?

Po të ishte kështu, Presidenti do të kish ruajtur të njëjtën heshtje olimpike edhe në rastin e rrëzimit të një avioni dhe kapjes së një sasie kanabisi në Divjakë. Por jo, në atë kohë Nishani thërriti në zyrën e tij kryeprokurorin Llalla dhe i dha porosi që prokuroria të angazhohej maksimalisht për hetimin që në çastet e para deri në zbulimin e plotë të ngjarjes që Presidenti e cilësoi pa precedent. Dhe ja ku kemi tani një ngjarje edhe më pa precedent. Policia e Shtetit nis një operacion në një zonë që për vite me radhë është raportuar si domen i mafies së drogës dhe ku shteti nuk ka shkelur dot për vite me radhë. Por Nishani heshti. Ai vazhdoi të heshtë edhe kur Policia e Shtetit, e shtetit kryetar i të cilit Nishani është, ndeshi në rezistencën e armatosur të ushtarëve apo mercenarëve të mafies së drogës. Por Presidenti Nishani përsëri e pa të udhës të heshtë. Nishani vazhdoi të heshtë edhe kur Berisha nisi një fushatë në “Facebook” e në Parlament kundër aksionit për shkatërrimin e oborreve të drogës, duke e akuzuar policinë deri edhe për terrorizëm mbi popullsinë. Nishani heshti edhe kur Berisha bëri deri edhe alibinë e kriminelëve të armatosur duke dalë kështu edhe mbi prokurorinë. Nishani nuk i doli në krah Policisë së Shtetit të tij, as kur Berisha e shpalli publikisht operacionin e antidrogës të dështuar. Nishani nuk foli as edhe një fjalë kur policia e përmbylli me sukses fazën e parë të operacionit, duke bërë që shteti të hyjë më në fund edhe në Lazarat. Nishani nuk e thirri në zyrë kryeprokurorin Llalla për ta porositur të angazhohet maksimalisht në hetime sikundër bëri në rastin e Divjakës. Jo vetëm bota e politikës, jo vetëm shtypi vendas, por edhe ndërkombëtarët, diplomacia e tyre u deklaruan që në krye të herës për operacionin e policisë. Dhe i dhanë mbështetje policisë dhe qeverisë, duke kompensuar atë që nuk e bëri Presidenti i Republikës sonë. Po pse heshti Presidenti për një ngjarje kaq të paprecedentë sa tërhoqi edhe vëmendjen e mediave nëpër botë?

***

Përgjigjja është e thjeshtë dhe evidente: Sepse nuk është i pavarur nga ai që e vuri në atë post, nga Sali Berisha. Për Divjakën foli, kërkoi hetime, sepse një gjë të tillë e kërkonte edhe Sali Berisha. Po për Lazaratin gjërat qëndrojnë disi më ndryshe. Sali Berisha u deklarua kundër ndërhyrjes në Lazarat madje, tërthorazi, u përpoq ta sabotojë atë. Ndaj edhe Nishani nuk mund të dilte në mbështetje të ndërhyrjes së policisë, edhe pse Presidenti e ka për detyrë të mbështesë shtetin dhe organet e tij kur ato angazhohen në luftë kundër krimit të organizuar. Preferoi t’i qëndrojë besnik zotit të tij politik dhe jo shtetit dhe Policisë së Shtetit që po luftonin kundër krimit.

***

Por një President që vlerëson më të çmueshme ca llogari personale sesa dedikimin ndaj shtetit, bie në gabime të rënda. Sepse kush nuk kryen detyrat ndaj shtetit punon kundër shtetit. Kush nuk mbështet shtetin në luftën kundër krimit i shërben botës së krimit. Dhe heshtja e Presidentit Nishani në rastin e operacionit në Lazarat, duke mos i shërbyer aspak shtetit dhe sundimit të ligjit, ka qenë në favor të mafies së drogës që sundonte në Lazarat. Por cili taksapagues shqiptar që aspiron shtetin ligjor do të ishte dakord që në krye të shtetit të jetë një President, i cili nuk mbështet sundimin e ligjit, por “ligjin” e sundimit? Me ç’shihet Nishani nuk u është mirënjohës taksapaguesve që i financojnë postin, por Berishës që e emëroi në atë post, duke refuzuar deri konsensusin, edhe pse i lutur edhe nga ndërkombëtarët. Nishani ka një detyrim shumë më të madh ndaj Berishës sesa ndaj publikut, prandaj preferon t’i shërbejë Berishës dhe jo publikut. Edhe kur hesht. Ja pse nuk është fare mirë që në postin e Presidentit të zgjidhen besnikë të liderëve politikë dhe jo besnikë të publikut pra, të shtetit.

***

Operacioni në Lazarat komplikohej jo aq për forcën e bandave të mafies kooperativiste shqiptare, sesa për rrezikun e manipulimit politik që Berisha mund t’i bënte këtij konflikti të qeverisë dhe shtetit me mafien. Për të shmangur një manipulim të tillë, që Berisha e tentoi, duhej mbështetje nga një zë i paanshëm që mishëron unitetin e popullit në shtet. Dhe kush mund të ishte ky zë përveç Presidentit të Republikës? Por Nishani heshti, prangat partiake (ndoshta dhe idhujtaria për Berishën), nuk e lejonin të mbante anën e shtetit, anën e policisë dhe qeverisë kundër Berishës. Fatmirësisht atë që nuk e bëri Nishani e bëri komisioneri Fule që e përshëndeti që në krye të herës operacionin dhe vullnetin e qeverisë për të luftuar krimin në Lazarat. Kishte një arsye më shumë që Presidenti ta përshëndeste atë që po bënte ministri Tahiri dhe që nuk e kish bërë ministri i brendshëm Nishani. Por, mosarsyeja e tejkaloi arsyen. Fatmirësisht operacionin e mbështeti diplomacia ndërkombëtare që e shpalli si një tjetër “plus” për marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria. E mbështeti SHBA-ja dhe Presidenti Obama nëpërmjet ambasadorit amerikan Arvizu. Dhe ishte kjo mbështetje që ia ngushtuan shumë Berishës mundësinë e manipulimit politik me Lazaratin, duke ia bërë të pamundur. Shto edhe profesionalizmin e policisë që e kreu aksionin pa derdhur një pikë gjak, gjë që do të kish habitur edhe fajdexhiun Shajlok. Ky solidaritet dhe perfeksionizëm shpjegojnë edhe tërbimin rrugaçëror që shfryu Berisha në Parlament, po ai Berishë që në 8 vjet qeverisje (nëse mund të quhet qeverisje) e kish shndërruar Lazaratin në një republikë të hashashit. Dhe ndërsa edhe të huajt i gëzohen fitores së shtetit, Presidenti Nishani hesht si në zi. Sikur të ketë pësuar disfatë shteti, Republika Shqipërisë dhe jo “republika e hashashit”.

Top Channel