Konkursi në SHBA, qeni më i shëmtuar në botë

22/06/2014 00:00

Një qen i vogël me emrin “Kikirik” ka marrë çmimin “Qeni më i shëmtuar në botë” për vitin 2014, në një konkurs të zhvilluar në Petaluma të Kalifornisë.

“Kikiriku” çoi në shtëpi trofeun, bashkë me pronaren e tij, Holly Chandler, pas një gare me shumë konkurrentë të tjerë të shëmtuar.

Disa prej konkurruesve ishin pa qime, të tjerë kishin shenja në trup, e madje njëri dukej se kishte humbur hundën.

Pjesa më e madhe e qenve garues ishin shpëtuar nga rruga. Por, ishte “Kikiriku”, me qimet e tij të shëmtuara dhe dhëmbin e tij të stërzgjatur, që u vlerësua nga juria.

Dhe, në këtë garë bukurie, shëmtia paguhet. Pronarja dhe “Kikiriku” kanë fituar 1500 dollarë. Holly Chandler e kishte gjetur “Kikirikun” në një strehë qensh, pasi kishte pësuar lëndime dhe ishte djegur në një zjarr.

Ajo thotë se planifikon tani që, paratë e fituara në këtë konkurs, t’i përdorë për të ndihmuar kafshë të tjera të keqtrajtuara.

Top Channel