Dhjetë qytetarë dhe trembëdhjetë policë të plagosur është bilanci i protestës së mbajtur të dielën në pjesën jugore të Mitrovicës, para urës mbi lumin Ibër.

Qindra protestues nga qytete të ndryshme të Kosovës ishin mbledhur në orën 15:00 për të mbajtur një protestë paqësore në kundërshtim të vendosjes së barrikadës së re nga serbët e veriut mbi urën që ndan qytetin e Mitrovicës.

Por, me të filluar protesta, ajo eskaloi pasi turma e njerëzve tentuan ta thyejnë kordonin policor. Sa më i madh që ishte reagimi i policisë, aq më të ashpra bëheshin reagimet e protestuesve të cilët ndezën 6 vetura të policisë dhe civile që ndodheshin në vendin ku po mbahej protesta.

Për të shpërndarë turmat e protestuesve, Policia e Kosovës, e asistuar edhe nga Policia e EULEX-it, përdori gazin lotsjellës. Ndërsa, pjesëtarët amerikanë të KFOR-it gjatë gjithë kohës kanë qëndruar me pajisjet e tyre ushtarake mbi urën e Ibrit, duke vëzhguar protestën.

Pas përfundimit të protestës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bëri përgjegjës për dhunën e shkaktuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, i cili sipas Rexhepit një ditë më parë bëri deklarata të papërgjegjshme duke i nxitur qytetarët të eskalojnë situatën: “Nuk duhen bërë deklarata të papërgjegjshme që mund të ngrenë tensione.”

Ndërsa, drejtori rajonal i Policisë në Mitrovicë të jugut, nënkolonel Nehat Thaçi, ka thënë se i kanë arrestuar dhjetë protestues të cilët kanë goditur me gurë policët: “Nuk është vullneti ynë për t’u konfrontuar me qytetarët, por nëse nuk kemi zgjidhje, jemi gati të përgjigjemi.”

Pas përfundimit të protestës rreth orës 18:00, vendi i ngjarjes u pastrua, ndërsa përreth urës vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra policisë dhe pjesëtarë të KFOR-it që kujdesen për sigurinë e dy pjesëve të qytetit të ndarë. 

Top Channel