Me titull “Nazistë të papenduar”, “Gazeta e redaktorëve” ka publikuar në numrin e saj të fundit fotografi nga vitet e para të krijimit të partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, të cilat tregojnë dy krerët e saj që përshëndesin në mënyrën naziste dhe nderojnë Hitlerin, duke festuar ditëlindjen e tij.

Lideri i kësaj partie, Nikos Mihaloliakos, dhe numri dy, Kristos Papas, që tashmë ndodhen në burg në pritje të gjyqit, pozojnë me krenari para flamurit me simbolin e brigadave esese, të cilat kishin kryer masakrën e fshatit Distomo dhe Klisura, ku pushkatuan qindra vetë, shumica gra dhe fëmijë, në vitin 1944.

Në një fotografi tjetër, Kristos Papas ka vizituar varrezat e ushtarëve gjermanë në Dioniso dhe ka nderuar kujtimin e tyre me rastin e ditëlindjes së Hitlerit. Fotografitë e publikuara janë pjesë e dosjes hetimore të krerëve të AA, ku ndodhen edhe dokumente të tjera të rëndësishme nga vitet e para të kësaj force neonaziste, deri në ditët e sotme.

Midis tyre veçohet materiali fotografik nga ceremoni të tjera pagane, të zhvilluara në vitin 2012, ku anëtarët e kësaj force politike, midis tyre edhe zëdhënësi i saj Ilias Kasidhiaris, mbajnë flamuj nazistë përgjatë festimeve të ditës së verës.

Disa ditë më parë, një ish-kandidat për deputet dhe bashkëpunëtor i AA është dorëzuar me dëshirë në polici dhe ka dëshmuar te dy hetueset kryesore të procesit, duke dhënë prova të pakundërshtueshme të ideologjisë social-nacionaliste të AA, me adhurim për Gjermaninë e Hitlerit, për synimin që ai kishte për të përmbysur qeverinë demokratike në Greqi, për fushatën e dhunshme ndaj të huajve në vend, dhe besimin e verbër te lideri i kësaj partie.

Megjithëse pritet që, së shpejti, udhëheqësi i kësaj force politike, dhe pothuajse gjysma e deputetëve që ndodhen në burg, të dalin para gjyqit me akuza për veprimtari kriminale, AA në muajin e kaluar përqendroi në rang vendi 8,1% të votave në zgjedhjet lokale, si dhe 9,4% në zgjedhjet parlamentare, duke shkaktuar shqetësim në Greqi dhe në Europë, pasi  numri i grekëve që e përkrahin është rritur tashmë në mbi 520,000 vetë.

Top Channel