Modifikim këmbëve për të mbajtur taka

23/06/2014 00:00

A do t’i shkurtonit gishtat e këmbës për të mbajtur taka të larta? Ndërhyrja është një agoni më vete e shumë e rrezikshme, megjithatë, gjithmonë e më tepër gra nëpër botë po i drejtohen klinikave, për atë që shtypi i huaj e quan “operacioni i Hirushes”.

Një ndryshim i formës e përmasave të këmbës, me qëllim përmirësimin e pamjes së saj, i cili përpos shkurtimit e rregullimit të gishtave, përfshin edhe ndërhyrje të tipit “liposuction” për të hequr dhjamin e tepërt, apo sharrimin e kockave të rritura jashtë normales.

“Mund të tingëllojë si budallallëk, por për mua blerja e këpucëve ishte kthyer në torturë”, thotë Paulina Charlikowska, e cila ka shpenzuar 4,500 paund që të shkurtojë katër gishta të këmbës.

“Gjithmonë më ka ardhur turp për këmbët e mia dhe i fshihja para shoqeve. Këpucët me taka të larta, pastaj, ishin një dhimbje më vete. Nuk vishja dot asgjë elegante”, vazhdon 30-vjeçarja që, pas shumë luhatjesh, vendosi të bënte një zgjedhje drastike: operacionin e hirushes.

Ndërhyrja rezultoi një sukses, por jo të gjitha femrat, që i janë nënshtruar asaj, kanë qenë kaq me fat. Pas dy operacioneve të njëpasnjëshme, Danielle Sandler është në situatën, që nuk do të mbajë dot më kurrë këpucë të larta në jetën e saj.

Vitet e fundit, operacionet e këmbëve kanë fituar popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tani konsiderohen si një prej procedurave kozmetike me rritjen më të shpejtë të kërkesave edhe në Britani.

Top Channel