“Porta e Ferrit”, zjarri 40-vjeçar

23/06/2014 00:00

Një vrimë e thellë 20 metër dhe diametër 70 metër që digjet prej 40 vitesh. “Porta e Ferrit” në Turkmenistan pa dashje është shndërruar në një destinacion për mijëra turistë të huaj në vit.

“Porta e Ferrit”, e pagëzuar me këtë emër nga banorët lokalë, ndodhet pranë fshatit Derveze në shkretëtirën veri-perëndimore të vendit.

Gjithcka nisi në vitin 1971 kur kërkues të ish-Bashkimit Sovjetik nisën kërkimet për gaz dhe naftë. Dhe ata kishin të drejtë. Nëntoka në këtë rajon të Turkmenistanit fsheh sasi të mëdha gazi. Por gjatë gërmimeve, toka u shemb duke formuar një gropë mbi 20 metër të thellë dhe me diametër prej 70 metrash.

Nga ky incident nisi të çlirohej gaz metan, tepër helmues për njeriun, në mënyrë të pakontrolluar në sipërfaqje. Rusët menduan si zgjidhje ndezjen dhe djegjen e sasisë së gazit që çlirohej për të shmangur helmimin e banorëve lokalë.

Në atë kohë ata menduan se flakët do të shuheshin brenda pak ditësh, e ndoshta javësh, por këtu gabuan. Sot kanë kaluar katër dekada dhe gazi që çlirohet në këtë pjesë të Turkmenistanit vazhdon të digjet. Flakët e “Portës së Ferrit” qëndrojnë ndezur që prej 1971.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel