Dita e parë e pushimeve të Erlës

23/06/2014 00:00

Për Erla Saraçin, gjimnazisten e “Petro Nini Luarasit” që sapo përfundoi vitin e dytë të shkollës, kjo është dita e parë e pushimeve.

Por edhe e hëna e gjen atë në ambientet ku mësoi për kaq muaj. Këtë mëngjes, Erla është zgjuar herët dhe po bëhet gati për të moderuar ceremoninë e hedhjes së kapeleve nga maturantët e të njëjtës shkollë. Ora 10 e gjen atë duke prezantuar eventin aq të dashur për nxënësit e vitit të tretë, që i thonë lamtumire “Petro Ninit”.

Erla është e pranishme në atmosferën e kësaj mature edhe pse vitin e ardhshëm do të jetë ajo vetë që do të përjetojë këto emocione.

Dita e parë e pushimeve sapo ka nisur. Gjëja e parë që i vjen ndërmend është të telefonojë shoqen e saj më të ngushtë, Merlën.

Prej dy vitesh ato janë të pandara. Me sa duket, edhe vera do t’i gjejë bashkë në pjesën më të madhe të kohës.

Orët që kaluan bashkë, nuk janë të mjaftueshme për Erlën. Ajo tashmë ka një tjetër ide; atë të daljes për të blerë ndonjë gjë.

Ato e ndihmojnë shpesh njëra-tjetrën me këshilla, edhe për blerjet që bëjnë. Dhe si pa kuptuar, koha ka kaluar shpejt. Pas disa orësh, vajzat ndahen për t’u takuar sërish të nesërmen.

Top Channel