Pas ditës së fundit të shkollës, si do e kalojnë verën të rinjtë?

23/06/2014 00:00

Është dita e parë e pushimit për pjesën më të madhe të nxënësve. Teste, provime, projeke…të gjitha këto janë mbyllur përfundimisht javën që lamë pas.

Dita e fundit e shkollës mbetet gjithmonë një ndër ditët më të dashura të nxënësve. Vecanërisht nëse ajo që të pret është më interesante nga ajo cfarë ke lënë pas.

Por si ndjehen nxënësit?

“E çliruar nga të gjitha detyrimet që kam patur gjithë vitin”, thotë një gjimnaziste.

“Personalisht nuk është se i kam shumë qejf pushimet verore, sepse më pëlqen më shumë shkolla dhe këto pushimet e verës janë si një trashje, nëse mund ta quaj kështu”, thotë një tjetër.

“Unë jam shumë e lumtur sepse nisin pushimet, plazhi. Dihen këto gjëra”, shprehet një tjetër.

Ndërkohë pushimet vijnë dhe pas diteve të para të gjumit të ligjëruar, cila është një ditë e zakonshme për ta?

“Një ditë normale shumicën e kohës në shtëpi, dalim me shoqet, ndonjëherë ndonjë aktivitet që gjejmë, këtë vit po mendoj të futem në ndonjë aktivitet vullnetar”, rrëfen një gjimnaziste.

“Një ditë e zakonshme, një ditë shtëpie, ndonjëherë duke lexuar e pastaj gjumë”, thotë një tjetër.

“Zakonisht jam shumë aktive, dal shumë, aktivizohem me sporte dhe me familjen dal shpesh”, shton një tjetër.

“Një ditë normale e imja është që fle gjumë, kompjuter, dal jashtë dhe aktivitete të ndryshme, por përgjithësisht flë gjumë”, shprehet një tjetër gjimnazist.

“Në ditët e pushimit nuk para dal shumë, dhe normal si gjithë adoleshentët rrjetet sociale dhe merrem me punë të ndryshme, hobet personale e të tjera si këto”, shton një gjimnaziste.

Megjithëse duket se pushimet janë gjithnjë argetuese, madje edhe vetëm me orare të zgjatura gjumi, sigurisht që ka mënyra e mënyra për t’i bërë ato të paharrueshme dhe efektive sigurisht pa ankthet e shkollës. Po për t’i zbuluar këto duhet patjetër edhe përfshirja e prindërve.

Top Channel