Basha sulmon qeverinë 1 vit pas zgjedhjeve

24/06/2014 00:00

Një vit pas humbjes së thellë të zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e përkufizon qeverinë e kryeministrit Rama si qeverinë e dështimit, mashtrimit dhe zhgënjimit të shqiptarëve.

Sipas kreut të demokratëve, i cili po merr pjesë në konferencat zgjedhore për riorganizimin e forcës më të madhe të opozitës, kryeministri Rama ka hequr dorë nga përmbushja e premtimeve të bujshme elektorale, duke thelluar varfërinë dhe papunësinë në vend.

Kreu i opozitës denoncoi nga Shijaku, edhe atë që e quan politikë të kryeministrit Rama për të zëvendësuar të arsimuarit në Perëndim me narkotrafikantë dhe persona me precedentë penalë.

“Sot, fiks një vit pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, shqiptarët po e shohin që asgjë nuk ka lindur dhe nuk ka rilindur në këtë vend. Përkeqësim në ekonomi, mijëra vende pune të mbyllura, sipërmarrja në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit, investimet e brendshme në nivelet më të ulta ndonjëherë në Shqipëri, investime me fondet e huaja afër zeros. Statistikat e INSTAT-it flasin për një rritje dëshpëruese të papunësisë gjatë muajve të fundit. Bota e krimit, e spekulimit, e mashtrimit, ka gjetur një strehë të ngrohtë, një strofkull të rehatshme brenda kësaj qeverisjeje”, tha kreu i PD, Basha.

Në analizën e kreut të opozitës, ky realitet zhgënjyes për qytetarët, që i besuan teorisë së Rilindjes, ka bërë që ata të rikthejnë sytë nga Partia Demokratike, si e vetmja forcë politike që ka dëshmuar ndër vite se i mban premtimet e veta dhe se ka në qendër të përpjekjeve të saj zhvillimin e vendit.

Sipa zotit Basha, numri i lartë i anëtarësimeve të reja në Partinë Demoratike është tregues i besimit në rritje tek opozita.

“Vijnë dhe bashkohen me ne, sepse kanë besim te Partia Demokratike. Vijnë dhe bashkohen me ne, sepse nuk shohin alternativë tjetër vlerash përveç Partisë Demokratike. Dhe, këtë besim nuk e ka vetëm rinia, që ka vërshuar drejt PD-së. Kjo është shenjë e jashtëzakonshme e kuotimit të PD-së në bursën e besimit popullor, dhe sot iu them se në këtë bursë, plot një vit nga zgjedhjet e 23 Qershorit, ne kuotohemi si një parti, në moral dhe në vlera, fituese përballë kundërshtarit tonë”, përfundoi Basha.

Top Channel