Një grevë e përgjithshme urie ka filluar në të gjitha burgjet në Greqi, në shenjë proteste për projektligjin e ndërtimit të burgut të sigurisë së lartë në Domoko, që pritet të miratohet dhe të zbatohet së shpejti nga qeveria greke.

Komisioni i protestës kërkon që të anulohet ky “projektligj fashist, që kërkon ndërtimin e Guantanamos greke”, siç thuhet në mënyrë karakteristike në peticionin, që i dërgohet ministrit të Drejtësisë.

Në kërkesat e të burgosurve theksohet se lejet dhe vizitat janë të drejta të pamohueshme dhe nuk mund të kthehen në pjesë të dënimit të tyre. Ata kërkojnë barazi për të gjithë, sidomos për ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm, pasi policia i ka paraqitur si baronët e trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa shumica janë thjesht përdorues, ose janë kapur me sasi të vogla droge, ndaj kërkohet rigjykimi i tyre.

Gjithashtu kërkohet e drejta e vizitës së bashkëshorteve në burg, si një e drejtë njerëzore, që zbatohet në gjithë Europën, përveç se në shtetin grek. Në peticion, gjithashtu, u bëhet thirrje organeve greke të lirojnë sa më shpejt qindra të huaj, të cilët kanë kryer dënimin e tyre, por për arsye të vonesës së dokumentacioneve nga ambasadat e shteteve të tyre vazhdojnë të mbahen pas hekurave të burgut.

Faza e parë e grevës së urisë ka filluar prej datës 18 Qershor, kur të burgosurit në disa burgje kanë refuzuar ushqimin, ndërsa prej së hënës në mbrëmje thuhet se, të paktën 3000 të burgosur nga gjithsej 12,700 në 7 burgje të mëdha të vendit, kane deklaruar se kanë hyrë plotësisht në grevë dhe pritet në orët e ardhshme pjesëmarrje masive.

Kanë kaluar më shumë se 4 vjet nga greva e fundit e urisë, në të cilën morën pjesë gati 70% e të burgosurve në Greqi, por gjendja në institucionet penitenciare të vendit është përkeqësuar edhe më shumë.

Përveç kushteve të papranueshme, që mbizotërojnë në to, Greqia është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe BE edhe për dhunën e ushtruar nga rojet e burgjeve, që evidentohet fare mirë me rastin e fundit të të burgosurit shqiptar, Ilia Kareli, që humbi jetën si rezulat i torturave nga policët dhe gardianët, pasi qëlloi për vdekje me një thikë artizanale një roje, në burgun ku vuante dënimin.

Top Channel