“Albanian Tattoo Convention”

24/06/2014 00:00

Për tri ditë radhazi, Pallati i Sportit “Asllan Rusi” u bë dëshmitar i panairit të parë shqiptar të tatuazheve, të quajtur “Albania Tatto Convention”.

20, 21 dhe 22 Qershori grumbulloi në Tiranë rreth 30 artistë, nga të gjitha disiplinat e tatuazheve, për të shpalosur talentin e tyre në performanca “live”.

Sipas programit, çdo ditë kishte çmimet për pjesëmarrësit, si “Best Tribal&Maori Tattoo”, “Best Small Tattoo”, “Best Tattoo of the Day”, apo me çmime në ditët e tjera, si “Best Black e Gray Tattoo”, “Best Big Tattoo”, fitues i së cilës është gjermani Benjamin Ott.

“Nuk ndihem si fitues, sot unë jam thjesht një klient. Nuk ka shumë njerëz këtu, por kur është panairi i parë i tatuatorëve në Shqipëri, Itali apo kudo qoftë, duhet pak kohë që të marrë përmasa të mëdha. Jam i sigurt që vitin tjetër do të jetë një organizim fantastik, me më shumë njerëz dhe të interesuar. Dua t’u them gjithashtu organizatorëve të mos dorëzohen”, tha Benjamin Ott.

Eventi tërhoqi shumë të rinj, të cilët ishin të interesuar të dinin më shumë rreth tatuazheve, apo pse jo të bënin një të tillë. Aktiviteti u mirëprit pozitivisht nga të huajt, gjithashtu.

“Kam qenë në shumë aktivitete të tilla, në të gjithë Europën. Siç mund ta shihni, në trup kam shumë tatuazhe të larmishme dhe më pëlqen shumë të shkoj në konventa të tilla. Më pëlqejnë tatuazhet dhe kam miq shumë artistë të kombësive të ndryshme. Jam shumë krenar, që jam sot këtu, në këtë event. Falënderoj Shoqatën e Tatuatorëve që më ftuan këtu si klient, thjesht si një klient. Gjithçka është shumë e këndshme këtu”, tha Benjamin Ott.

Në duart e tatuatorëve, lëkura duket si letër e bardhë. Tatuazhet variojnë që nga më të thjeshtët, e deri tek ata më të komplikuarit, me ngjyra dhe forma të larmishme. Çdo formë ka simbolikën dhe mesazhin e vet, njerëzve u mbetej vetëm të zgjidhnin e, më pas, çdo gjë ishte në dorë të mjeshtrit.

Sipas organizatorëve, suksesi i eventit nis një traditë të bukur, që do të çojë në shumë aktivitete të tilla në të ardhmen.

Historia e tatuzheve, që nga indianët deri te tatuazhet e ditëve tona

Motivet, që i shtyjnë njerëzit të bëjnë tatuazhe janë të shumta. Një njeri tatuohet për t’u dalluar nga të tjerët, për të treguar grupin që i përket, apo për të deklaruar identitetin e tij.

Mundësitë e ofrurara në tregun e tatuazheve variojnë, që nga tatuazhet e vogla e deri tek ato, që zënë pjesën më të madhe të trupit. Tatuazhet më të zakonshme, që vihen re lehtësisht, janë sirena, anijet, delfinët dhe thikat e piratëve, të zgjedhura për të sfiduar vdekjen.

Shumë në modë janë gjithashtu Dielli, Hëna, simbolet zoodiakale, që quhen fatsjellëse me veti magjike mbrojtëse. Njerëzit kanë guxuar të eksperimentojnë forma dhe vende të pazakonta për t’i bërë, por ky art i të pikturuarit të trupit nuk është një praktikë e re.

Historiani latin, Plini, tregon se populli i Trocit e konsideronte atë si një shenjë lirie. Po kështu, popullatat e para kolumbiane, vend ku mendohet se janë praktikuar tatuazhet e para, egjiptianët e vjetër dhe indianët tatuonin në lëkurë fytyra vajzash, lule dhe flutura.

Për maurët, të tatuoheshe ishte një rit dhe një ofertë ndaj Perëndive. Pasi bëhej tatuazhi, Perënditë bekonin mbajtësit e tyre, së bashku me familjet. Bestytnitë thonë se lëkura e ngjyrosur është një lloj materializimi i dëshirave tona me sekrete, dëshirë që ka tunduar shumë njerëz, pa dallim moshe, në mbarë botën moderne.

Top Channel