Blerina punon prej 12 vitesh në TKOB. Ajo ka ndërtuar me qindra personazhe, të cilët kanë ngjitur këtë skenë. Profesioni i saj është ai i grimieres artistike dhe parukieres.

Është shumë e përkushtuar në këtë punë, që e bën prej më se një dekade, e për të ka vënë gjithë shpirtin. Sepse arti i krijon asaj një ndienjë magjike, që buron nga një dëshirë e kahershme.

Por, në të vërtetë Bela, siç miqtë e saj artistë e thërrasin, do të donte që rruga e jetës së saj të kishte marrë tjetër drejtim. Jo drejt kthinës së grimit, por në korridorin e gjatë që të çon në skenë, dhe protagonistja të ishte vet ajo. Që e vogël, Bela ka adhuruar baletin dhe ëndrra e saj e kahershme ishte të bëhej një balerinë.

Ironia e fatit e solli atë shumë pranë ëndrrës, pa i dhënë mundësinë ta prekë atë, por vetëm ta jetojë nga shumë afër.

Edhe pse vitet kanë kaluar, as eksperienca e saj në Opera dhe as afria që ka pasur me skenën, nuk ia kanë zbehur këtë ëndërr të madhe, përkundrazi, ajo ndjek me admirim çdo praktikë dhe shfaqje, që miqtë e saj përgatisin për repertorin e TKOB.

Dhe përfytyron sikur ajo të ishte aty…

Kreshnik Hakrama: Futbolli, ëndrra ime e papërmbushur

Kreshniku është një djalë shumë energjik, i cili pjesën më të madhe të ditës ia kushton profesionit të tij si inxhinier mekanik. Ai punon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, por njëkohësisht edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin Politeknik.

Teksa flet për punën, të bën të kuptosh se është shumë i përfshirë në të, edhe shpirtërisht, sepse parimi i tij në jetë është: Jep maksimumin, në gjithçka që të jepet për të bërë.

Dhe, teksa e sheh në detyrën e Përgjegjësit të Termometrisë dhe Elektricitetit, ku ai ushtron kontrollin dhe kalibrimin e pajisjeve të termometrisë dhe elektrikut, në mendje nuk të shkon aspak se rruga e tij e jetës mund të kishte qenë diçka tjetër, shumë larg kësaj zyre… në fushën e gjelbër.

Futbolli është ëndrra, që shëtit në mendjen e pjesës më të madhe të djemve, por ashtu edhe për Kreshnikun. Përkundër pjesës më të madhe të tyre, ai nisi ta realizojë atë në vogëli, por vendosi ta fshehë rrugës, diku në një nga sirtarët e dëshirave të tij…

Orieta Prengjoni: Gazetaria, ëndrra që fle ende në sirtar

Dita e saj e punës fillon çdo ditë në orën 9, për të vijuar me një intensitet të madh gjatë gjithë orëve në vazhdim. Orieta Prengjoni punon në një kompani marketingu, pozicion që e mban disi afër ëndrrës së saj të parealizuar, e cila është gazetaria.

Me këtë ambicie, Orieta është diplomuar për Gazetari, por deri më sot nuk ka mundur dot ta hapë derën e medias, për të realizuar në këtë profesion ëndrrën e saj.

Në mungesë, ajo ka zgjedhur të punojë si sekretare, por thotë se puna në lëmin e marketingut i kompenson disi dëshirën e saj të pamundur, gazetarinë.

Ajo është në komunikim me njerëz gjatë gjithë kohës, bën njohje të reja, e kështu mendon se i qëndron më pranë profesionit, që do të kishte dashur të bënte.

Me peng, por jo e penguar, Orieta gjithsesi nuk heq dorë nga ëndrra e saj, për të cilën beson se do të realizohet një ditë…

Top Channel