Marrja e satusit të vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë ka qenë një nga temat kryesore të mediave greke, të cilat përmendin faktin që kjo ngjarje ndodhi përgjatë presidencës greke.

“Shqipëria kandidate për integrim në BE”, është titulli i artikullit kryesor të faqes elektronike të gazetës “To Vima”, që thekson se kjo ishte përpjekja e tretë, por e suksesshme e vendit fqinj që ndodhet tashmë një hap larg integrimit në BE.

“U hapet rruga negociatave. Shqipëria edhe zyrtarisht vend kandidat”, është titulli i gazetës “Ethnos”, që komenton se bisedimet për këtë çështje do të kenë një rrugë të gjatë dhe do t’i imponojnë Tiranës reforma të rëndësishme, sidomos në sektorin e drejtësisë.

Sipas gazetës, Komisioni Europian ka përgëzuar vendin e vogel ballkanas për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në krijimin e shtetit të së drejtës, ndërsa shumë ministra të BE-së kanë paralajmëruar se vendi duhet të vazhdojë reformat.

Lajmi ka zënë vend kryesor edhe në faqen e gazetës “Ta Nea”, e cila bashkë me artikullin publikon njoftimin që ka bërë në rrjetin social Facebook kryeministri Edi Rama.

Gazeta përmend edhe komentin e agjencisë “Associated Press”, për operacionin e forcave të policisë në Lazarat, të cilin e quan “Mbretëria e kanabisit”, një akt që vërtetoi se Tirana ka treguar vendosmërinë e saj në luftën kundër trafikantëve të lëndëve narkotike.

Artikulli i faqes elektronike të gazetes “Eleftherotipia”, që thekson se Shqipëria merr statusin e vendit kandidat 5 vjet pasi kishte bërë aplikimin e parë, fillon me njoftimin që ka dhënë në Twitter komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle, ku midis të tjerash shkruan: “Është njohje e përpjekjeve për reforma dhe ftesë për reforma të reja”.

Edhe gazeta pro-qeveritare “Eleftheros Tipos” ka pasur në lajmet krysore të ditës marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Ajo thekson se, vendet si Gjermania, Franca, Britania, Holanda dhe Danimarka, që kishin shtyrë procesin në dhjetorin e kaluar, kësaj radhe i dhanë Tiranës dritën jeshile.

Artikulli mbyllet me njoftimin në Twitter të kryeministrit Rama që shkruan: “Sapo fola me Stefan Fylen dhe jam krenar që ia arritëm të gjithë së bashku”.

Top Channel