Ka përfunduar pa sukses takimi mes dy liderëve maqedonas për zhbllokimin e krizës politike në Maqedoni, pas vendimit të opozitës për të mos njohur zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i partisë opozitare maqedonase LSDM, Zoran Zaev nuk kanë arritur të merren vesh për kërkesën kryesore të opozitës që ka të bëjë me formimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në vend.

“Ne nuk tërhiqemi nga qëndrimet tona, pasi ato janë të interes të vendit dhe kanë për qëllim të ndihmojnë maqedonasit të bëhen shtet normal, i cili mund të organizojë zgjehje të lira dhe demokratike”, deklaroi Zoran Zaev.

Kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit tha se kërkesa e opozitës për qeveri teknike është e papranueshme për të, pasi qeveria e re në Maqedoni është formuar vetëm përpara disa ditëve.

“Ne para disa ditëve kemi formuar qeverinë, e cila ka filluar të punojë me intensitet të lartë për përmbushjen e premtimeve parazgjedhore. Unë nuk mund ta pranoj kërkesën e opozitës, pasi qytetarët nuk kërkojnë nga ne qeveri teknike dhe zgjedhje të reja”, tha Gruevski.

Vendimi i opozitës maqedonase për të mos njohur rezultatet e zgjedhjeve e ka futur Maqedoninë në një krizë të re politike. Menjëherë pas këtij vendimi, deputetët e opozitës maqedonase kanë refuzuar mandatet e fituara në zgjedhje, duke i lënë bosh vendet e tyre në Kuvend.

Analistët në Maqedoni nuk besojnë se kjo krizë politike mund të tejkalohet pa ndërmjetësim dhe presion të fuqishëm ndërkombëtar.

Top Channel