Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri thotë se nëse qeveria nuk do të pranonte marrëveshjen me CEZ, Shqipëria do të shkonte në një kolaps të sigurtë energjetik me kosto të madhe për ekonominë.

“Sektori energjitik është mbajtur peng për shkak të këtij konflikti të gjatë dhe do të vazhdohej të mbahej peng edhe për 6-7 vite të tjera nëse cështja do të shkonte në Arbitrazh, sidomos nëse do të kishim bashkimin e dy çështjeve dhe me çështjen e padisë së palës shqiptare. Kjo do të thotë që Shqipëria në 6-7 vite do të kishte të vështirë të bënte reformat e kërkuara në sektorin energjitik, do të kishte të vështirë të investonte ato fondet të donatorëve apo institucioneve të tjera financiare që ishin të gatshme të investonin në këtë sektor. Pse? Sepse asnjë institucion financiar nuk mund të investojë në një sektor që është në një paqartësi juridike”, tha Gjiknuri.

Pas privatizimit të shpërndarjes në vitin 2009, i gjithë sektori u zhyt me shpejtësi në një zinxhir të ngatërruar borxhesh, të cilat arritën deri në 1 miliardë dollarë, kur CEZ-it iu hoq licenca.

“Nisur nga magnituda e këtij dëmi, jemi të detyruar të marrim disa masa radikale, sic ishte edhe kjo që mbase për cdo palë mund të ishte më e thjeshtë që lëre cështjen të shkojë në gjyq dhe s’ke pse të marrësh asnjë lloj përgjegjësie, por në fakt një shtet i përgjegjshëm për këto interesa jetike, për këtë sektor strategjik, sepse energjia elektrike është një sektor jashtëzakonisht jetik dhe kërcënon deri dhe sigurinë kombëtare, shteti nuk mund të bëjë indiferentin dhe t’ia lërë gjërat rastësisë”, sqaron Ministri i Energjitikës.

Por për qeverinë ka dhe një arsye tjetër se pse marrëveshja kundrejt faturës 95 milionë euro ishte e detyrueshme. Gjiknuri thotë se pozicioni i Shqipërisë në konfliktin me CEZ u përkeqësua qëllimisht nga qeveria e kaluar dhe për këtë i kërkon prokurorisë të hetojë.

“Organet kompetente duhet të bëjnë detyrat e tyre. Fatkeqësisht organet kompetente dhe më parë kanë nisur hetimet për këtë çështje dhe i kanë pushuar, faktet janë aty. Patjetër kanë dalë edhe fakte të reja se si Enti Rregullator është sjellë me urdhërat e Kryeministri, apo edhe shumë probleme të tjera që patjetër do të bëjmë prezente dhe ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar organet e hetimit për t’i shkuar kësaj çeshtjeje deri në fund”, deklaroi Gjiknuri.

Por cili do të jetë fati i kompanisë së shpërndarjes në vizionin e qeverisë tani që konflikti me CEZ u zgjidh?

“Përkohësisht publike, por prespektiva do të jetë private. Kjo duhet parë, duhet bërë me maturi të plotë. Nuk duhet bërë ai procesi, do ta quaja i dështuar dhe i nxituar që bëri ish-qeverisja për arsyet e saja politike”, shton Gjiknuri.

Me zgjidhjen e konfliktit qeveria thotë se ka të gatshme 200 milionë dollarë për të investuar në sektorin energjetik, 150 milionë nga të cilat financohen nga Banka Botërore.

Top Channel