Baywatch edhe në plazhet shqiptare

25/06/2014 00:00

Pushimet e kësaj vere pranë detit do të jenë shumë më joshëse në disa plazhe. Për herë të parë bregu shqiptar pushtohet nga vajzat Baywatch, apo Rojet e Plazhit, sic mund të thuhet në shqip.

Ato janë tre dhe përvec sharmit të tyre në plazh janë një garanci për jetën e pushuesve. Fibela, Brisida dhe Suela janë vajzat e para që kanë marrë përsipër rolin e Baywatch në Shqipëri.

“Ndjehem shumë e lumtur, ndjehem shumë e privilegjuar që jam në këtë lloj plazhi, me njerëz shumë të komunikueshëm që më kanë ndenjur që në ditët e para, që në hapat e mia të para dhe besoj që do të jetë një arritje shumë e madhe nëse do t’i shkoj deri në fund kësaj pune”, thotë Bela.

Një roje bregdetare si Bela nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së meshkujve të plazhit, të cilët do të donin së paku të ishin njëherë viktima në krahët e saj.

“Çdo njeri do të dëshironte të ishte në momentet e mbytjes dhe të shpëtohej nga një vajzë si Bela”, thotë një pushues.

“Është një gjë shumë e mirë dhe mendoj që përderisa ka aftësitë e duhura, këtë mund ta bëjë edhe një vajzë dhe më mirë se një mashkull”, thotë një tjetër pushues me në krah të fejuarën e tij.

“Unë do t’i isha mirënjohëse, pse jo. Përderisa arrin të shpëtojë të fejuarin tim do t’i isha mirënjohësi gjithë jetën dhe pse jo ta kisha shoqe gjatë gjithë kohës”, thotë e fejuara.

Vajzat rojtare në plazhin e Golemit kanë vetëm një javë që kanë filluar punën, por jo pa dobi.

“Dje ndodhi një situatë pak alarmuese për pushuesit sepse vuri më shumë në ankth se cfarë do të ndodhë. Ishte një situatë që nisën dallgët papritur dhe një fëmijë kishte kaluar bregun e parë. Prindërit e tij nisën ta thërrisnin nga bregu. Ishte ndërhyrja ime direkt, shkova me not dhe e nxorra nga deti. Ishte falenderimi i prindërve që e ngrohën më shumë situatën dhe njerëzit e plazhit që nisën me falenderimet e tjera”, rrëfen Brisi.

Mos i shikoni me dyshim teksa ato kujdesen për jetën tuaj. Janë të trajnuara dhe të kualifikuara jashtë për punën që bëjnë.

“Nuk kemi patur ndonjë rast ekstrem deri më tani, por shumë mirë. Unë jam e përgatitur fizikisht për këtë punë, plus që jam edhe sportiste”, thotë Suela.

Bela është më shtatpakëta ndër tre vajzat e përcaktuara si Roje Bregdetare nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit. Asaj nuk i kanë munguar edhe shpotitjet në ditët e para të punës. Por është e bindur që do ja dalë.

“Thonë që jam shumë e vogël. U dukem shumë e imët. Kjo nuk ka lidhje me përmasat e njeriut, ka lidhje me aftësinë”, thotë Bela.

Të bukura, të stërvitura dhe të kulifikuara për të qenë siguria e jetës në plazh. Dita–ditës edhe pushuesit po binden për këtë aftësi të vajzave, megjithëse sjellin ndonjë kritikë të vogël për punën e tyre, kuptohet derisa ato të kapin nivelin e profesionisteve.

“Mua më duket në rregull, por vajza jo të qendrojë me kostum dhe kur të mbytet ai tjetri…Ajo duhet të jetë me rroba banjoje sic janë në gjithë botën. Duhet të jetë në gatishmëri”, thotë një pushues.

Top Channel