Qendra vullnetare e emergjencave

25/06/2014 00:00

Ky është vetëm njëri nga grupet e vullnetarëve të emergjencave civile në bregdetin shqiptar. Kur incidentet apo problemet shëndetësore arrijnë kulmin gjatë stinës së verës, prania e ekipeve të ndihmës së shpejtë është mëse e domosdoshme.

Mjeku Grej Malo është përgjegjësi i këtij grupi të stacionuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës. Ai përcakton detyrat për secilin nga vullnetarët, pjesa më e madhe e të cilëve me formim mjekësor.

“Gjithë dinamika njerëzore është e shpërndarë në plazh në një hapësirë simetrike për të ofruar shërbim sa më të shpejtë. Personeli sapo identifikon një person që ka nevojë për ndihmë urgjente, afrohet pranë tij me mjetet përkatëse, barrelat, i jep ndihmën e parë dhe nga plazhi transportohet për tek autoambulanca, ku mjeku i shërbimit bën vlerësimin nëse do transportohet direkt për në spitalin e Durrësit”, thotë Grej Malo.

Rreziku nga mbytjet është një ndër rastet më të shpeshta gjatë sezonit. Edhe për këto situata, vullnetarët e rinj janë gjithaq të përgatitur. Ata ndihmojnë për shmangjen e një situate të tillë.

Ambulanca është terreni ku doktor Grej kalon pjesën më të madhe të punës së tij.

“Ambulanca ka të gjitha pajisjet e nevojshme konform rregullave për të shërbyer sa më cilësisht”, thotë Grej.

Prania e vullnetarëve për të parën herë në ambientet e Kovaleshencës së Durrësit duket se është mirëpritur edhe nga stafi.

“Konvaleshenca në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me qendrën vullnetare të emergjencave civile sollën këtë risi për të siguruar një kujdes më tepër si nga ana shëndetësore ashtu edhe për ndonjë mbytje potenciale të pushuesve”, thotë njëra prej vullnetareve.

Si ky grup janë edhe të tjerë të lokalizuar në plazhe të ndryshme të vendit, që të gjithë me të njëjtin mision: të shpëtojnë jetë njerëzish.

Top Channel