Shqiptarët e Luginës së Preshevës ende nuk mund të përdorin simbolet kombëtare. Në shënimin e 4 vjetorit të themelimit të Këshillit Kombëtar Shqiptarë në Bujanoc u tha se shqiptarët ende nuk i kanë të drejtat e tyre elementare.

“Ju e shihni se edhe sot në këtë sallë ne nuk e kemi prezentë flamurin kombëtarë shqiptar sepse ligjet në fuqi të Serbisë e ndalojnë flamurin”, tha Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në mbështetje të shqiptarëve, për këshillin që ka për detyrë të ruaj traditën dhe të realizojë nevojat e shqiptarëve në jug të Serbisë, morën pjesë zyrtarë të lartë politikë.

Nga zyra e Kosovës në Beograd për herë të parë Valdet Sadiku, por edhe nga Ambasada e Shqipërisë dhe institucione të tjera.

“Ne si organizatë jemi të interesuar për të drejtat e shqiptarëve dhe për punën e Këshillit Kombëtarë Shqiptarë. I ftojmë shqiptarët që në mënyrë masive të votojnë në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Peter Berkhard, ambasador i OSBE në Serbi.

“Ju përgëzoj për këtë përvjetor në emër të Republikës së Shqipërisë. E kemi vlerësuar gjithmonë punën e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme, kemi arritur suksese”, tha Ermal Filo, i ngarkuar me punë, Ambasada e Shqipërisë në Serbi.

Ndërsa në fund të ceremonisë u ndanë edhe disa mirënjohje. Televizionit Top Channel iu nda mirënjohje për reflektimin e vazhdueshëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Top Channel