Ekzekutohet bankieri Artan Santo

26/06/2014 00:00

Biznesmeni Artan Santo u godit me gjashtë plumba pistolete në kokë dhe në trup rreth orës 9 e 15 minuta të së enjtes, në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, ndërsa po hynte në ndërtesën e “Credins Bank” që ai drejtonte.

Qitjet e kryera nga arma e zjarrit rezultuan të ishin vdekjeprurëse për drejtuesin dhe një nga pronarët e bankës “Credins”. Santo, 58-vjecar, u qëllua pak metra nga selia qendrore e kësaj banke, teksa i ishte drejtuar zyrës së tij. Autorët sipas deshimtarëve okularë kanë qenë dy persona që udhëtonin me një motoçikletë dhe mbanin kokore. Sapo i janë afruar biznesmenit, personi në sediljen e pasme të motoçikletës ka nxjerrë armën dhe ka shtënë gjashtë herë mbi biznesmenin duke patur shënjestër kokën dhe trupin.

Biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Motoçikleta ka lëvizur më pas në drejtim të Liqenit Artificial duke marrë shumë kthesa dhe duke humbur gjurmët e policisë. Policia pulikoi një foto të autorëve të vrasjes teksa kalonin kryqëzimin e Presidencës. Fotoja është marrë nga kamerat e sigurisë.

Ngjarja ka shokuar zonën kryesore të kryeyqtetit. Kur forcat policore janë njoftuar për ngjarjen, zona u rrethua dhe u shoqëruan një pjesë e madhe e okularëve që panë nga afër ngjarjen, roja e selisë së bankës, si edhe një luleshitëse e vendosur përballë janë dy dëshmitarët kyç. Rrugët u bllokuan për më shumë se 40 minuta që të kryheshin veprimet hetimore dhe ekspertiza e vendgjarjes. Oficerët e policisë shkencore u përpoqën të gjenin në vendin e ngjarjes prova materiale, por sekuestruan vetëm gëzhoja të armës së krimit, si edhe sendet personale të viktimës.

Vrasja sipas ekspertëve mendohet të jetë kryer nga vrasës profesionistë me pagesë të cilët jo vetëm që nuk kanë lënë gjurmë, por edhe kanë menduar lëvizjen për t’ju fshehur mbulimit policor. Informacionet e para e orientuan policinë drejt Liqenit Artificial ku u bë rrethimi i zonës, por pa rezultat.

Policia nisi një operacion të gjerë përfshirë edhe helikopterët dhe mjete të tjera për gjetjen e tyre, por nuk mundën dot të gjenin vendin ku u fshehën autorët e krimit, ndonëse kërkimet u zhvilluan në një zonë të gjerë nga Fushë Kruja në Lezhë.

Në këtë zonë policia shoqëroi dy persona, njëri prej të cilëve është personi që ka shitur motorin me të cilin u krye vrasja e bankierit Artan Santo. Policia bën të ditur se personat nuk janë arrestuar, por janë marrë në pyetje për çështjen e shitjes së motorit dhe për të dhënë ndonjë identikit të mundshëm të autorëve të vrasjes.

Prokuroria ka shkuar në zyrën e bankierit për të verifikuar shënimet e tij dhe për të parë nëse gjenden të dhëna të nevojshme për problemet e punës që kryente.

Policia e kryeqyetit në një deklaratë për shtyp njoftoi dhënien e një shpërblimi prej 100 mijë eurosh për çdo informacion të dhënë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje në numrin telefonik 069 41 00003.

Lamtumira e Artan Santos

Ndërkohë, pasditen e së premtes familja e zotit Santo njoftoi se homazhet në nder të biznesmenit do të zhvillohen ditën e premte, në orën 10:00.

Homazhet, sipas njoftimit, do të zhvillohen në Hotel Sheraton, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet pasdite, rreth orës 16:00.

Përmes komunikimit të saj, familja e të ndjerit ka falenderuar miqtë e tij për solidaritetin e treguar ndaj saj në këto momente të vështira.

“Banka Credins, e sigurt”


BSH: Kreditorët dhe depozituesit nuk janë të kërcënuar

Këshilli Drejtues i Bankës “Credins”, ku zoti Artan Santo ishte drejtor ekzekutiv, përmes një deklarate për mediat bën të ditur se ngjarja, ku humbi jetën zoti Santo, i ka tronditur thellë, por se në vijim të statusit dhe rregullave në fuqi, Banka ka marrë vendimet e duhura për të siguruar vijimësinë normale të aktivitetit.

Në deklaratën e Bankës “Credins” drejtuar depozituesve, thuhet se veprimtaria e Bankës vazhdon normalisht në të gjitha degët e saj.

Ndërkohë, edhe Banka e Shqipërisë, si institucioni kryesor kushtetues që mbikqyr tregun bankar, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e jetës së zotit Santo dhe dënuar këtë akt kriminal, shprehet se duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të vendit, që garantojnë sigurinë financiare, deklaron se kjo ngjarje e paprecedent nuk cënon në asnjë mënyrë qëndrueshmërinë e sistemit bankar, në tërësi, dhe atë të Bankës “Credins”, në veçanti.

Në deklaratën zyrtare, thuhet se Banka e Shqipërisë i ka kërkuar Këshillit Drejtues të Bankës “Credins”, të cilin edhe e siguron se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe operacionale, për të garantuar vazhdimësinë normale të veprimtarisë së saj.

Santo, biznesmeni mik i artit
Ana njerëzore, bankieri ishte mik i të gjithëve

Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh.

Artan Santo u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo është një nga bankierët më të njohur në vend.  

Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo është jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm në fushën e medias. Ai është bashkëpronar i medias “Focus Group”, e cila përfshin disa gazeta dhe një kanal televiziv informativ, si dhe televizionin me orientim ekonomik “TV Scan”. 

Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe për artin.

Në një intervistë, Artan Santo, i cili u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, ka thënë: “Ka njerëz që kërkojnë të fitojnë sa më shumë parà në një kohë të shkurtër, mirëpo harrojnë se kanë fituar parà, por kanë humbur veten. Zotësia është që t’i bësh të dyja njëtrajtësisht dhe unë këtë jam munduar të realizoj në jetë”.

Artan Santo është i martuar dhe ka dy fëmijë; një djalë dhe një vajzë; me të cilët kishte një lidhje të veçantë. Miqtë dhe kolegët e tij e kanë cilësuar si një njeri të shoqërueshëm, të sjellshëm, me mjaft shije dhe plot energji. 

E ndryshe nga shumë bankierë, Artan Santo, jo vetëm nuk ka reshtur së shkruari, por ka ndihmuar qindra autorë të rinj të njohur dhe të panjohur.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel