Ambasadori Valdet Sadiku, oficer për lidhje i qeverisë së Kosovës në Beograd, ka zhvilluar për herë të parë takime me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në udhëheqje të zyrës së Kosovës prej më se një viti, diplomatët e Kosovës në Serbi, në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian, kanë punuar me kujdes mjaft të madh.

Sadiku nuk foli për mediat, ndërsa kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa tha se është i kënaqur me kujdesin që Kosova dhe Shqipëria bëjnë ndaj shqiptarëve, e veçanërisht në fushën e arsimit.

Ndonëse kontaktet janë direkte, ai tha se edhe me ambasadorin do të kenë kontakte të rregullta. “Jemi interesuar që ambasadori të lobojë tek të gjitha ambasadat në Beograd, në mënyrë që procesi i Luginës së Preshevës të ecë më përpara”, deklaroi Mustafa.

Zyrtarët e Kosovës për shkak të kujdesit për të mos shkaktuar incidente, vizitojnë shqiptarët por zakonisht nuk flasin për media.

Top Channel