Matura shtetërore si standard i ri

27/06/2014 00:00

Nga Pëllumb Karameta: A është Matura Shtetërore (MSh) vlerësim gjithëpërfshirës, i vlefshëm dhe i sigurt i nivelit të formimit të nxënësve? Argumentet në vijim i qasen përgjigjes.

E dhëna e parë. Një raport me 100 faqe i vitit 2006, viti kur filloi të zbatohet MSh-ja, nxori në pah dallimin ndërmjet notave vjetore dhe notave në provimet e Maturës. Në lëndën e Matematikës, p.sh., rreth 50% e nxënësve e përfunduan shkollën me notë vjetore 5, ndërsa në provimin e Maturës vetëm 14% u çmuan me notën 5. Pra, nxënësi, i vlerësuar nga mësuesi i tij me notën 5, arriti të merrte në MSh-në deri notën 10. E gjitha kjo vuri në dyshim procesin e administrimit të testit dhe procedurat e vlerësimit.

E dhëna e dytë, referuar në Konferencën Ndërkombëtare për Arsimin vitin e shkuar: “Rreth 36% e maturantëve u shprehën se në ambientin ku është zhvilluar provimi kanë hyrë dhe persona të tjerë që kanë komunikuar me nxënësit; rreth 20% shprehen se kishin mundësi për të kopjuar; rreth 35% shprehen se komunikonin gjatë procesit me njëri-tjetrin apo janë të lëkundur për t’u shprehur se nuk komunikonin”. Gjithashtu, “rezultuan disa llojesh kopjesh që ndryshojnë nga shkolla në shkollë: kopje prej shokëve, biseda në celular, futje e kopjeve të gatshme ku u përfshinë mësues dhe drejtorët e shkollave”.

Në tërësi, shtatë vitet e shkuara dëshmuan dështimin e MSh-së për vlerësimin objektiv të arritjeve të nxënësve dhe mësuesve të tyre. Dështim në treguesit themelorë si cilësia e hartimit të testeve (kujtoni, p.sh., protestat e maturantëve në Tiranë e në Korçë, vitin e shkuar, që detyruan zyrtarët e MASh-it të udhëzonin komisionet vlerësuese që të mos ndëshkonin askënd që iu shmang skemës orientuese); administrimi dhe vlerësimi i testeve (kujtoni, p.sh., skandalin e vitit të shkuar, kur 4 mësues u arrestuan në mjediset e provimeve, urdhëresat për procesin e shqyrtimit të ankesave, si dhe protestat e nxënësve dhe të prindërve për vite me radhë); transparenca dhe përgjegjshmëria (MASh-i nuk publikoi asnjë raport për rezultatet e maturantëve, për cilësinë dhe për faktorët që e cenojnë).

Që të përparojmë drejt njohjes së faktorëve që ndikojnë dështimin e MSh-së, le të njihemi me rezultatet e MSh-së në lëndën e matematikës, në dy vitet e fundit, ofruar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Nota                   Vitit 2013             Viti 2014
4                            2263                      10361
10                          2496                       2249
Kalueshmëria      95%                       76%
 

Sa i takon vitit 2014, aktorët (specialistët, mësuesi dhe nxënësit) pohuan se testet e zbatuara ishin të pranueshme, sa u takon vështirësisë dhe përshkallëzimit sipas niveleve të nxënësve. Sikundër, qenë të pakta dhe kontestimet për cilësinë e vlerësimeve të testeve. Ndaj, ndryshimet e mëdha në kalueshmëri mbetet të jenë të lidhura me administrimin e procesit. Këtij aspekti duket i shërbyen përpjekjet e suksesshme të MAS-it për të shmangur ndërhyrjet dhe kopjet, nëpërmjet ndërgjegjësimit të aktorëve për respektimin e Rregullores së MSh, personalizimit të përgjegjësive, trajnimit efikas të ekipeve të administrimit dhe monitorimit të kryqëzuar të provimeve.

Nga ana tjetër, nëse thellojmë kërkimin, rezulton se këtë vit, në matematikë, 14779 nxënës janë vlerësuar me notën 5. Kjo do të thotë që 25140 nxënës (58%) janë në nivelin minimal të formimit matematik. Ky tregues na shtyn t’i lidhim shkaqet e dështimit të pjesës më të madhe të maturantëve dhe përmirësimin e MSh-së, jo vetëm me karakteristikat e procesit testues, por, së pari, me vetë kurrikulën dhe me kushtet e nxënies.

Në terma të përgjithshëm, përmirësimi i MSh-së është i lidhur me reformën që po fillon të zbatohet këtë vit. Reforma do të sfidojë devijimet që e pështjelluan jo pak sistemin, duke riorganizuar themelet dhe duke ripërcaktuar perspektivat e reja arsimore. Sikundër kam thënë në shkrime të tjera, kurrikula jonë tradicionale është refleks i filozofisë tradicionaliste të Platonit. Sipas saj, duke studiuar dijet më të mira, mendjet e nxënësve do të formatohen sipas linjave që zhvillohen mendjet e ndritura që i prodhojnë këto dije. Sa më abstrakte dhe të sakta të jenë dijet që studiohen, aq më mirë do të zhvillohet dhe do të përmirësohet forca e nxënësit për arsyetim abstrakt. Ndërsa, tani, përmes reformës, po realizojmë idenë, sipas së cilës ajo që bëjnë nxënësit kur “kacafyten” me teoremat e gjeometrisë ose me funksionet është tërësisht tjetër gjë nga ajo që bënin, fillimisht, Pitagora dhe Dekarti kur këqyrnin, habiteshin dhe deduktonin. Këta të fundit, në të vërtetë, ndërtonin dije dhe kjo ishte punë krijuese, e ngadaltë dhe e rëndë; vinin në punë forcat e tyre të vëzhgimit, të deduktimit, të imagjinatës dhe të reflektimit. Ndërsa, nxënësit, me mënyrën si i mësojmë, thjesht, përpiqen të kuptojnë, të mbajnë mend dhe të riprodhojnë (në rastin më të mirë). Shkencëtarët dhe nxënësit venë në punë grupe “muskujsh mendorë” tërësisht të ndryshëm. Ndaj, nuk funksionon argumenti platonik i “inteligjencës që transferohet”. Nëse në shkolla i ndihmojmë nxënësit të nxënë që të mendojnë dhe të veprojnë, të themi, si Galilei apo të shkruajnë si Shekspiri, ata mund të jenë shumë më të interesuar në shkollë. Është ky qëllim që po motivon përpjekjen tonë reformuese. Në vend që të përpiqemi ta dendim rininë me dije, për të cilat nuk do të ketë ndonjëherë nevojë, kurrikula e re do të ndihmojë nxënësit të ndërtojnë kompetencat për të nxënë vetë, për të punuar me të tjerët dhe për të prodhuar njohuri të reja, me të cilat të zgjidhin probleme jetësore.

Zhvendosja nga kurrikula që fetishizon lëndët shkollore, te kurrikula që organizohet përmes kompetencave, ndryshon dhe formatin e MSh-së. Jo vetëm duke e shndërruar atë në provim që certifikon rezultatet e nxënësve pas mbarimit të shkollës, por duke reformuar brendinë dhe formën e saj. Në brendi, MSh-ja do të jetësojë parimin, sipas të cilit testimi është proces që çmon njohuritë e fituara dhe kompetencat e zhvilluara nga nxënësi. Kjo do të bëjë që MSH-ja të çmojë (jo vetëm me laps e letër, por edhe përmes formave dhe teknologjive të reja) kompetencat ndërlëndore, njohuritë e reja, vlerat dhe qëndrimet që ofrohen në fushat e të nxënit, përmes mbledhjes së informacioneve dhe çmuarjes së arritjeve që prodhohen nga nxënësi gjatë shkollimit dhe testimit fundor. Ndërsa, përmirësimi i procesit do të arrihet përmes ndryshimit të strukturës së provimeve kombëtare, rishikimit të përmbajtjeve të pyetjeve, sasisë së pikëve, peshave të niveleve të vështirësisë, pilotimit paraprak të pyetjeve, certifikimit të administratorëve dhe të vlerësuesve etj. Këndej, reformimi i MSh-së është proces kompleks që do të integrojë thellë qëllimet arsimore me kurrikulat e re zyrtare, me pedagogjinë, me vlerësimet, me besimet dhe vlerat e mësuesve, me burimet e nevojshme dhe me komunitetet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel