Banka Qendrore e Bullgarisë ka bërë të ditur një përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar vendin përmes sulmeve të sistemit të bankave. Sipas saj, do të përdoren të gjitha fuqitë në dispozicionin e BQ-së për të mbrojtur depozitat e qytetarëve.

Aksionet e bankave në Bullgari kanë rënë ndjeshëm për ditën e dytë me radhë. Spekulimet, që po sulmohen depozitat në bankën e katërt më të madhe në vend, Banka e Koorporatave Tregtare (CCB), mund të përhapen edhe te të tjerët.

Banka Qendrore mori kontrollin e CCB-së javën e kaluar dhe tha se problemet e saj ishin izoluar. Ekonomistët dhe agjencia e vlerësimit “Fitch” kanë mohuar gjithashtu rrezikun e përhapjes së kësaj “sëmundjeje”, ndërkohë që edhe bankat e huaja me nëndegët e tyre në Bullgari këmbëngulin se operacionet e tyre janë të sigurta.

Por, komentet nga një deputet i mazhorancës, të enjten, se një tjetër bankë mund të pësojë të njëjtin fat, goditi më tej besimin dhe bëri që investitorët të nxitonin në zbusnin hendekun e rezervave të bankave bullgare.

“Gjatë ditëve të fundit ka pasur një përpjekje për të destabilizuar shtetin, përmes një sulmi të organizuar kundër bankave bullgare pa asnjë arsye”, bëri të ditur Banka Qendrore në një deklaratë të saj.

BQ nxiti të gjitha institucionet shtetërore të punonin së bashku për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe për të ndërmarrë hapa ligjore kundër atyre që përhapin “zëra të pavërteta dhe dashakeqëse” në lidhje me gjendjen e bankave bullgare.

Aksionet e Bankës së Parë të Investimeve (FIB) ranë me 23% të premten. Edhe aksione të bankave të tjera ranë gjithashtu. FIB njoftoi të premten se do të mbyllte degët e saj në 14:00 dhe do të qëndronin të mbyllura deri ditën e hënë, pasi depozitorët tërhoqën rreth 800 milionë lev (328 mln paund) brenda pak orësh.

Bullgaria ka caktuar 5 Tetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryeministri Plamen Oresharski dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen në fillim të këtij muaji, pasi mbetën në minorancë, kjo për shkak se partia më e madhe në koalicionin e tij, Socialistët, pësuan goditje në zgjedhjet europiane të muajit Maj.

Top Channel