Bosnja shënon 100-vjetorin e vrasjes së arkidukes Franc Ferdinand, ngjarja që do të shërbente si shkëndijë për fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Do të ketë një sërë ceremonish me këtë rast në Sarajevë, përfshirë evente kulturore e sportive si dhe një koncert të Orkestrës Filarmonike të Vjenës.

Megjithatë, dy më të mëdhatë prej tyre do të jenë të ndara: njëra për popullsinë me shumicë myslimane dhe një tjetër për serbët e Bosnjës në lindje të qytetit.

Në Austri, stërmbesa e Franc Ferdinandit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes do ta kujtojnë këtë ditë me aktivitete të ndryshme në kështjellen e Artstetenit, pranë kryeqytetit, vendi ku dhe prehet ish-trashëgimtari i fronit austro-hungarez.

Gavrilo Princip, serbo-boshnjaku që qëlloi arkidukën më 28 qershorin e vitit 1914 duke i tërhequr fuqitë e mëdha të Europës në një luftë 4-vjeçare, vazhdon të mbetet një figurë thellësisht përçarëse.

Serbët, kroatët dhe myslimanët e Bosnjës nuk pajtohen mbi rolin e Principit në shpërthimin e tensioneve në Europën e një shekulli më parë. Interpretimet janë të ndryshme.

Udhëheqësit serbë dhe disa serbo-boshnjakë kanë zgjedhur t’i bojkotojnë ceremonitë zyrtare me pretekstin se ngarkojnë me faj serbët.

Të premten, në lindje të Sarajevës u paraqit një skultupurë e Principit, të konsideruar prej këtyre të fundit heroi kombëtar që i dha fund viteve të pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Austro-Hungareze.

Nacionalisti serb, që tërhoqi këmbëzën më 28 qershor duke vrarë Ferdinandin dhe të shoqen e tij Sofi, i përkiste një organizate të njohur si “Mlada Bosna”, apo “Bosnja e Re”.

Ceremonitë në qendër të Sarajevës do të jenë të një natyre krejt tjetër me ato në lindje të saj. Koncerti i Filarmonisë së Vjenës do të zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare të saporestauruar pas dëmtimeve të mëdha që mori gjatë rrethimit të qytetit në 1992-shin nga forcat serbo-boshnjake gjatë luftës së Bosnjes.

Top Channel