Të shtunën në Kosovë u mbajt pjesa e dytë e provimit të maturës, ku nxënësve u është dashur t’u përgjigjen 80 pyetjeve.

Për të shmangur manipulimet, këtë herë maturantët u kontrolluan nga pjesëtarë të sigurimit fizik dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mënyrë që të mos mbanin me vete asgjë përveç kartës së identitetit dhe stilolapsit.

Nga MASHT kjo fazë e provimeve është vlerësuar si një proces jashtzakonisht i mirë në raport me pjesën e parë që u mbajt më 14 qershor.

“Vendimi për ndryshime në administrim i ka dhënë rezultatet sepse agjencitë e kontrollit fizik kanë funksionuar dhe ka pasur fare pak përpjekje nga maturantët për të manipuluar. Në 95 për qind, procesi ka rrjedhur ashtu sic ishte planifikuar”, deklaroi Nehat Mustafa, zëvendësministër i MASHT.

Sipas zyrtarëve të MASHT, pati parregullësi të vogla, si prania e zyrtarëve komunalë në një qendër në Istog, një rast fotografimi dhe publikimi në rrjetet sociale i testit në Podujevë dhe raste kur nxënësit nuk kanë pasur kartë identiteti.

Ndaj të gjitha rasteve është marrë masa duke mos ndikuar kështu në mbarëvajtjen e procesit. Edhe nxënësit u ndanë të kënaqur me procesin e testimit. Për tre orë, rreth 46 mijë nxënës iu nënshtruan testit shtetëror të maturës, në 390 qendra në të gjithë vendin.

Top Channel