Bashkimi Europian është serioz në idenë e zgjerimit. Kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, një ditë para Tiranës, ka arritur në Beograd ku ka vlerësuar punën e Serbisë, por edhe të Shqipërisë, duke thënë se arsyeja e vizitës së tij është progresi i arritur.

“Një nga dy vendet që jam duke vizituar është Serbia pasi e konsideroj si faktor në procesin e zgjerimit. Dhe, Shqipëria sepse para pak kohësh duke ndjekur propozimin e komisionit, Këshilli i Europës vendosi të ndaj statusin për Shqipërinë. Nëse doni të nxirrni një mesazh nga kjo është që BE-ja është serioze për zgjerimin. Unë besoj se një ditë të gjitha vendet e Ballkanit do të bëhen pjesë e unionit”, tha  Hose Manuel Barroso, kryetar i KE-së.

Ndonëse ka pasur vështirësi në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Kryeministri serb, Alleksandar Vucic, ka përshëndetur vendimin e BE-së dhe ka thënë se së shpejti pritet të takoj kryeministrin shqiptar.

“Dua ta njoftoj opinionin edhe pse ne nuk i kushtojmë rëndësi protokollit, por e kam uruar Edi Ramën, kryeministrin shqiptar që kanë marrë statusin e kandidatit për Bashkimin Europian dhe besoj se do të takohemi në vjeshtë pas kush e di sa dekadash”, deklaroi Alleksandar Vucic.
 
Barroso gjatë vizitës së tij në Serbi tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një progres edhe më të madh në marrëdhëniet e tyre, duke shtuar se pret që takimi I radhës I dy delegacioneve të ndodh së shpejti.

Top Channel