Krijohet Kalifati islamik, SHBA: Moment kritik

30/06/2014 00:00

Ajo së cilës i druheshin liderët e Irakut e udhëheqës të tjerë perëndimorë ndodhi. Militantët e ISIS-it deklaruan krijimin e Kalifatit, apo shtetit islamik
në territoret e kontrolluara prej këtij grupi në Irak e Siri.
Kreun e saj, Abu Bakr al-Bagdadi, organizata sunite e shpalli Kalif apo “drejtues të muslimanëve kudo qofshin”.

“Këshilli i shtetit islamik e shqyrtoi çështjen, pasi u mblodhën të gjithë elementët e nevojshëm për kualifikimin si “Kalifat”, dështimi i themelimit të të cilit do t’i bënte muslimanët të konsideroheshin mëkatarë. Në dritën e këtyre fakteve, shteti islamik nuk ka detyrime ligjore apo pretekste, që të justifikojnë vonesat në shpalljen e Kalifatit”, tha Abu Muhammad al-Adnani, zëdhënës i ISIS.

Krijimi i një Kalifati nën sundimin e ligjit islamik ka qenë prej kohësh qëllim parësor i xhihadistëve. Ky term historik përdorej në të shkuarën për t’iu referuar një vendi sovran me popullsi plotësisht muslimane.

Ambiciet për të krijuar një shtet të tillë dhe mosrespektimi i urdhrave ishin arsyeja përse udhëheqësit e al-Kaedës e dëbuan ISIS-in në fillim të vitit. Madje, filiali zyrtar i rrjetit më të madh terrorist të botës, në muajin Janar, iu bashkua kryengritësve sirianë për t’i përzënë luftëtarët e këtij grupi, nga Aleppo dhe qytete të tjera kufitare.

Zhvillimet e fundit vijnë në kohën, kur ushtria irakiane e vazhdon ofensivën madhore në Veri, me qëllim rimarrjen e Tikritit të pushtuar prej militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL). Vendlindjen e Saddam Hussein-it, këta të fundit e vunë nën kontrollin e tyre më 11 Qershor, gjatë kohës kur përparonin me shpejtësi në veriperëndim të vendit.

SHBA: Është një moment kritik. Të qëndrojmë së bashku

Gjithashtu edhe ndërkombëtarët shprehen se qëllimi i ISIS ka qenë i qartë që në fillim, por me këtë deklaratë mund të vijnë përleshje më të mëdha që do të përfshijnë edhe rajonin.

Në Uashington, administrata Obama i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për t’u bashkuar përballë kërcënimit të ekstremistëve sunitë.

Zëdhënësja e Departamentit, Jen Psaki u shpreh se ky është një moment kritik për bashkësinë ndërkombëtare, “prandaj duhet të qëndrojmë së bashku kundër ISIS”, tha ajo.

Vende të tjera, duke përfshirë Iranin, mendohet se kanë vendosur pajisje ushtarake në territoret e tyre si edhe kanë përforcuar trupat.

Ndërkohë, studiuesi i fenomenit të radikalizimit, Peter Newman tha se, kjo duhet konsideruar si një deklaratë lufte kundër Perëndimit dhe të gjitha vendeve që janë duke kundërshtuar ISIS, por më e rëndësishmja, kundër Al-Kaedës.

“ISIS tashmë po e shohin veten si udhëheqësit legjitimë të lëvizjes dhe ata presin që të gjithë të jenë përkrahës të tyre”, deklaroi Newman.

Top Channel