Barroso: Statusi kërkon angazhim

30/06/2014 00:00

Ky është momenti kur presidenti Komisionit Europian Jose Manuel Barroso ka nisur vizitën zyrtare në Tiranë e cila supozohej të zhvillohej 3 vjet më parë, por klima politike e atëhershme pas zgjedhjeve lokale të 2011-s do ta anulonte atë.

Pas një takimi prej 60 minutash në sallën e hartave me kryeministrin Edi Rama, Barroso në një konferencë të përbashkët për shtyp ia bëri të qartë të gjithë aktorëve politikë vendas se çelja e negociatave do të thotë përpjekje të reja e të përbashkëta, me një kualitet krejt tjetër demokracie. 

Unioni, theksoi Barroso, është gati ta shohë Shqipërinë si një anëtar të ardhshëm, por gjithçka mbetet në duart e shqiptarëve për ta afruar apo larguar bërjen realitet të kësaj aspirate: “Dhënia e statusit të vendit kandidat, që tashmë është pranuar në mënyrë unanime nga qeveritë e BE-së, është natyrisht një sukses i madh për Shqipërinë, po ashtu mendoj se është një lajm i mirë për të gjithë rajonin. Statusi i vendit kandidat do të thotë që njihen angazhimet dhe hapat konkretë të ndërmarra nga qeveria muajt e fundit në mënyrë që të çohet më tej procesi i rerformave të kërkuara nga BE-ja, përfshi edhe reformën në drejtësi. Kam besim që ky kapitull i ri do t’i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për t’i trajtuar sfidat me vendosmëri dhe i theksova kryeministrit Rama se për të ecur më tej në rrugëtimin europian, Shqipëria lipset të intesifikojë qasjen e saj me refomat.”

Barroso dha këtë vlerësim për vizitën e pritshme të kryeministrit Rama në Beograd: “Ne e kemi mirëpritur inistativën e kryeministrit Rama për t’u takuar me kryeministrin e Serbisë, vizitë e cila është më shumë se një xhest simbolik. Rajoni tashmë ndodhet në paqe, por lipset konsolidimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit.”

Kryeministri Rama theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat për
qeverinë shqiptare është një moment që i ngarkon një përgjegjësi të re:
“Nuk e marrim statusin si një trofe dhe nuk e konsiderojmë një arritje
të njëanshme. Duam të bëhemi anëtarë të BE-së, por për këtë kemi ende
detyra të vështira për të realizuar. Presidenti Barroso u interesua dhe
për ato që kemi bërë në planin ekonomik dhe unë e informova për një
rritje ekonomike të vazhdueshme që ne presim duke nisur nga ky vit.

“Lufta ndaj drogës, të shkohet te paratë”

Barroso: Lazarati, operacioni duhet të çojë në sekuestrimin e aseteve

Top Channel e pyeti presidentin Barroso se si është parë në kancelaritë europiane operacioni policor në Lazarat.

“Unë e kam uruar kryeministrin për operacionet e suksesshme të antidrogës në plantacionet e mbjellura me narkotikë në atë zonë. Unë besoj se tashmë Shqipëria duhet të kalojë përtej këtyre përpjekjeve dhe duhet që në mënyrë efikase të sekuestrojë pasuritë e të implikuarve në trafik droge, duke bashkëpunuar edhe me Europolin. Lufta kundër narkotikëve duhet të jetë një përpjekje kombëtare dhe politizimi i saj duhet të shmanget. Policia dhe agjensitë ligjzbatuese duhet të lihen të bëjnë punën e tyre dhe nuk duhet ndërhyrja e asnjë partie, për t’i dhënë kështu fund kultivimit dhe trafikimit të lëndëvë narkotike. Unë mirëpres faktin për çfarë është arritur në këtë operacion të suksesshëm dhe shpresoj që ky angazhim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Barroso.

Presidenti Barroso i dorëzoi Kryeministrit Rama marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e BE-së “Creative Europe”, me synim për të mbështetur dhe promovuar kulturën dhe artin shqiptar.

Barroso në Gjykatën e Krimeve të Rënda
Kreu i KE: Luftoni krimin dhe korrupsionin. Rama: Drejtësia, një turp

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso zgjodhi Gjykaten e Krimeve të Rënda, një gjykatë e ngritur 10 vjet më parë me asistencën e BE-së, për të dhënë mesazhin për intensifikimin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në kohën kur Gjykatës së Krimeve të Rënda i kanë kaluar për kompetencë edhe veprat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, sipas Barrosos, kjo gjykatë ka rol të rëndësishëm për të luajtur.

“Më është thënë se kohët e fundit kompetencat e kësaj gjykate janë zgjeruar më tej, duke mbuluar disa vepra penale të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të niveleve të larta, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët. Neve na duket se pikërisht kjo lloj pune që është bërë deri tani, do ta vërë theksin pikërisht në punën e mëtejshme që duhet bërë në luftimin e këtyre veprave penale. Pra, me pak fjalë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Barroso.

Sipas presidentit të KE-së, për të patur efikasistet duhet bashkëpunim ndërinstitucional. “Ne gjithashtu besojmë që në mënyrë që gjykata të jetë vërtet efikase, duhet patjetër bashkëpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë e bashkëpunojë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe po ashtu me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit”, nënvizoi Barroso.

Kryeministri Rama, nga ana e tij vlerësoi se vizita e presidentit Barroso tek Gjykata e Krimeve të Rënda është më shumë se një simbolikë.

“Ajo lidhet me sfidën e jashtëzakonshme që kemi së bashku, për të kaluar nga një fazë drejtësie primitive në një fazë të re drejtësie evropiane. Për të kaluar një fazë ku drejtësia është problemi më i madh që na e identifikojnë partnerët tanë evropianë, në një drejtësi të modifikuar sipas standardeve evropiane”, deklaroi Rama.

Por sipas kryeministrit, hapat e reformës duhet të jenë të shpejtë e të vendosur në mënyrë që të shkëputemi nga kjo fazë e drejtësisë që është, siç e konsideroi Rama, një turp i përbashkët.

“Kjo është një sfidë që do ta fitojmë së bashku. Sfidat e drejtësisë nuk janë utopi, por të mundura. Do punojmë që reforma të bëhet realitet dhe që njerëzit e drejtësisë të mos identifikohen me horrat që me uniformën e zezë të gjyqtarit janë më të rrezikshëm se vetë kriminelët, sepse me mandatin që u jep ligji e shkelin ligjin për të mundësuar krimin, duke u bërë bashkëfajtorë në të”, tha Rama.

Top Channel