Komisioni Europian ka miratuar një kërkesë nga Bullgaria për alokimin e financimeve për disa prej bankave më të mëdha të vendit.

Komisioni zgjeroi një linjë krediti prej 2,3 miliardë dollarësh për të ndihmuar bankat, të cilat sipas autoriteteve bullgare janë bërë viktima të një komploti për të minuar sistemin bankar.

5 persona janë arrestuar gjatë fundjavës në lidhje me këtë akt komplotues. Gjatë javës së kaluar, ka pasur radhë të gjata në dy prej bankave më të mëdha bullgare, pasi njerëzit, të frikësuar nga problemet financiare, kërkonin të tërhiqnin depozitat e tyre.

“Komisioni doli në përfundimin se ndihmat shtetërore të dhëna përmes sigurimit të një linje krediti është proporcionale dhe në përputhje me nevojën për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm në sistemin bankar, në rrethana të veçanta”, bëri të ditur Komisioni përmes një deklarate.

Ai theksonte, gjithsesi, se sistemi bankar i Bullgarisë ishte krejtësisht i shëndoshë. “Ai është i mirëkapitalizuar dhe ka nivele të larta likuiditeti, krahasuar me sistemet financiare të vendeve të tjera anëtare”, shtoi më tej Komisioni.

“Për arsye parandaluese, Bullgaria ka ndërmarrë këtë masë për të rritur më tej likuiditetin dhe për të ruajtur sistemin e saj bankar nga çdo goditje e mundshme”.

Javën e kaluar, Banka Qendrore e vendit mori nën kontroll CCB (Bankën e Koorporatave Tregtare), apo kreditorin e katërt më të madh në vend, pas një rrjedhje të depozitave. Pas spekulimeve se këto probleme do të pasojnë edhe me banka të tjera, depozitorët nxituan të tërhiqnin kursimet e tyre nga Banka e Parë e Investimeve (FIB), banka e tretë më e madhe në vend, të premten.

Kjo ngjarje detyroi Bankën Qendrore të nxiste të gjitha institucionet shtetërore të punonin së bashku për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe të ndërmerrnin hapa ligjore ndaj atyre që përhapnin “thashetheme të pavërteta dhe dashakeqëse” në lidhje me gjendjen financiare të bankave bullgare.

Top Channel