Historia e një qyteti përmes orkestrës frymore

30/06/2014 00:00

Ndër vite, Shkodra është njohur si një ndër qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore shqiptare. Fotografët shkodranë kanë lënë dëshmi të krijimit të orkestrës së parë frymore të dokumentuar në Shqipëri. Koncertin e parë, ata arritën ta realizonin në vitin 1878.

“Ndihemi mirë që vazhdojmë të ekzistojmë dhe përpiqemi çdo ditë që ta ruajmë atë nivel dhe atë përpjekje të mjeshtrave, që e kanë themeluar këtë trupë”, shprehet Kujtim Alia, dirigjent.

Nuk ka qenë dhe aq e thjeshtë për ta ruajtur e trashëguar traditën e filluar shumë vite më parë. Banda frymore e Shkodrës ka pasur 2 shkëputje; njërën gjatë Luftës së II Botërore dhe tjetrën në vitin ’97; megjithatë sot kjo orkestër është pasuria e qytetit, zhvillon rregullisht prova, jep koncerte, e madje përfaqëson edhe Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare, nën udhëheqjen e dirigjentit Kujtim Alia.

“3-4 festivalet e fundit kombëtare, të realizuara në qytetin e Sarandës, nga klubi kombëtar i orkestrave frymore, banda e Shkodrës ka dalë fituese e çmimeve të para. Përveç kësaj, po këtë periudhën e fundit, banda e Shkodrës ka korrur edhe një sukses tjetër, do të thosha shumë të rëndësishëm, siç ishte çmimi i parë në festivalin e 10 internacional të bandave frymore, të zhvilluar në Itali”, thotë Kujtimi.

Namik Jahja është një prej instrumentistëve më të vjetër aktiv. Ai është jo vetëm profesionist i fushës, që ka dhënë dhe do vazhdojë të japë kontributin e tij në bandë, por edhe një nga personat që e adhuron punën e tij.

“Ta di do të thotë punë. Nuk është një nocion që bie nga qielli, apo një nocion bosh. Ne nuk gjetëm një terren bosh, ishte puna, pasioni, talenti i jashtëzakonshëm i dhjetra-dhjetra brezave të instrumentistëve shkodranë, që krijuan këtë traditë, që luan një rol shumë të rëndësishëm në nivelin artistik që ka sot banda”, shprehet Namiku.

Kurse Brunilda Keci është flautiste. Është e para femër, që është pranuar ndonjëherë në orkestrën frymore të Shkodrës. Thotë ka detyrime ndaj qytetit të saj të lindjes, e mbi të gjitha ndaj bandës frymore.

“Në atë kohë isha nxënëse e vogël në shkollën e muzikës ‘Preng Jakova’. Sigurisht, ai impakti i parë është që po, unë atje dua të arrij. Çdo ditë kam punuar e studiuar për të qenë pjesë e bandës së Shkodrës një ditë dhe ja ku jam sot”, thotë Brunilda.

Maestro Alia, prej gati 30 vitesh është pazgjidhshmërisht i lidhur me këtë orkestër frymore. Tregon se do dëshironte t’i hapte rrugë edhe të rinjve e t’i krijojë edhe atyre një mundësi për të dirigjuar orkestrën e traditës, megjithatë, deri sa të jetë i vlefshëm e të ketë fuqi do të vazhdojë t’i prijë instrumentistët, që mbajnë gjallë jetën e qytetit.

Orkestra frymore e Beratit, ja si e gjallërojmë jetën qytetare të qytetit tonë

“Shkëndija e parë dhe dielli ndriçues për të gjitha aktivitetet kulturore, muzikore, letrare dhe artistike që kryheshin në Berat. I jepte tonin gëzimit, apo edhe hidhërimit në qytet”.

Ata janë 27 instrumentistë, bëjnë prova 1 herë në javë dhe përpiqen të jenë sa më aktivë në jetën qytetare beratase.

Banda frymore e Beratit ka pasur 4 dirigjentë, dy prej të cilëve rrjedhin nga e njëjta familje. Dirigjenti aktual Fatbardh Dervishi, tregon se paraardhësi i tij ishte i vëllai.

“E kam shkollën pikërisht nga im vëlla. Ai më orientoi dhe më drejtoi. Banda për mua është një formacion që më mbush me frymëzim”, tha Fatbardhi.

Bardhyl Qafa është pjesëtari më i vjetër, që edhe sot e kësaj dite nuk humb asnjë provë, e aq më pak ndonjë aktivitet të bandës. Ja si i kujton ai momentet e para.

“Kam në klasën e 6 apo të 7 në vitin 1958. Vinte edhe na provoi për veshin dhe nga ana shëndetësore, për arsye se vegla frymore është shumë e vështirë. Na mësoi dhe brenda 6 muajsh neve na nxorri në koncert me muzikantët e vjetër të atëhershëm të bandës”, shprehet Bardhyli.

Ky instrumentist i ka hapur derën e për më tepër ka dashur të ruajë traditën te pasardhësit e tij. Orkestra frymore aktuale e qytetit, duket se ka edhe shumë muzikantë të tjerë të kësaj dere, siç është i nipi, Florenc Qafa.

“Impakti im i parë ka qenë në adoleshencën e hershme nëpër ndeshjet që zhvilloheshin në stadium. Një tingëllime e jashtëzakonshme, një fuzion i magjishëm, një adrenalinë të papërsëritshme që të krijon orkestra frymore”, thotë Florenci.

Ndjehet mungesa femërore, megjithatë, ata janë duke u përpjekur që këto kohë të përfshijnë, për herë të parë në grupin e tyre, të parën femër instrumentiste. Ndërkohë, ka edhe djem të tjerë, si Ledio Karapiti, që ka 9 vite që është pjesë e bandës, por që sërish mbetet më i riu mes tyre.

“E ndiej edhe si një obligim qytetar, sa i përket vazhdimit të traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm të këtij formacioni muzikor”, deklaron Ledio.

Krijuar që në 1823-shin nga Vacisllav Panek, në një qytet historik siç është Berati, qytetarët i gëzohen muzikës së bandës jo vetëm në koncerte.

“Gjithë respektin e jashtëzakonshëm për të gjithë muzikantët e vjetër, që kanë përfaqësuar bandën e Beratit. Gjithë respektin që kam për këtë muzikantë, qoftë të moshës sime, edhe më të vjetër se unë, por edhe për artistët e rinj që po vijnë, që ta mbajmë fort këtë traditë të qytetit tonë, këtë pasuri të pazëvendësueshme dhe të patjetërsueshme të qytetit dhe, pse jo, ta shtyjmë edhe më lart akoma”, përfundon Florenci.

Top Channel