Me orkestrën frymore të Forcave të Armatosura, e vetmja profesioniste në Shqipëri

30/06/2014 00:00

Orkestra Frymore e Ushtrisë u krijua në Tetor të vitit 1944, në fshatin Priskë pranë Tiranës, me rreth 25 instrumentistë. Kjo trupë është e vetmja profesioniste në Shqipëri dhe ka për detyrë zhvillimin e të gjitha veprimtarive ceremoniale shtetërore, ushtarake, kulturore e artistike.

Me një trupë aktuale prej 79 instrumentistësh, të shkolluar brenda dhe jashtë vendit. Çdo ditë, ata përgatiten për të qenë gjithmonë në formë, jo vetëm për të kryer detyrat shtetërore, por edhe për të përfaqësuar denjësisht çdo shqiptar.

Petrika Backa është një nga anëtarët e Këshillit, i cili thotë se, për të qenë pjesë e tyre, duhet të kalosh disa faza.

“Normalisht, të gjithë që hyjnë këtu bëjnë një konkurs artistik mbi bazën e instrumenteve përkatës. Të gjithë duhet të jenë të diplomuar. Është krenari të jesh pjesë e orkestrës frymore, është një nga orkestrat më të rëndësishme që krahasohen me Operën dhe Radio Televizionin Shqiptar”, shprehet Petrika.

Albana Bufaj është klarinetiste. Është femra e dytë, që është bërë pjesë e Bandës frymore të Forcave të Armatosura dhe, për një periudhë prej 6-7 vjetësh, kolegët e saj kanë qenë të gjithë meshkuj, megjithatë, ajo është ndjerë shumë e privilegjuar mes tyre.

“Shtysë ka qenë mësuesja ime e parë, Vera Hoxha, e cila ka qenë klarinetistja e parë femër. Është e veçantë sepse, në përgjithësi shikon kryesisht meshkuj, dhe zakonisht nuk para ka femra. Megjithatë, mua më pëlqen si instrument dhe e zgjodha”, tha Albana.

Por, nuk është e thjeshtë për një femër të jetë pjesë e një trupe të tille. Ja çfarë na tregon Mirela Lumi.

“Ka momente të bukura, ndërsa të vështira janë shërbimet kur jemi në terren, pasi mund të qëllojë ndonjë ditë jo e përshtatshme me reshje shiu”, thotë Mirela.

Çdo instrumentist ka 3 kostume, të cilat i veshin në bazë të veprimtarisë që kanë. Megjithatë, në çdo rast kanë nevojë për asistencën e Iliriana Haxhiut, garderobieres që prej 3 vitesh shoqëron në çdo aktivitet bandën frymore.

“Kujdesem për veshjet e orkestrës, i mirëmbaj, i hekuros, i qep kur ato shqepen, rri në gatishmëri në çdo koncert apo eveniment që ka orkestra. Para një viti kam qenë te Pallati i Kongreseve, duke ndenjur në gatishmëri, duke u qepur në momentin e fundit kopsat”, tha Iliriana.

Ata kryejnë shumëllojshmëri interpretimesh muzikore, duke filluar nga stili barok, klasik, e deri tek ai modern me shoë, big band, me të gjitha llojet e rrymave muzikore.

Tradita e re e formacioneve të vjetra frymore

Orkestrat frymore, të ashtuquajtura ndryshe dhe bandat muzikore, si asnjë tjetër formacion muzikor, janë të afta të përcjellin, si në skena ashtu dhe në ambiente të hapura, të ulur por dhe në ecje, muzikë nga çdo lloj zhanri muzikor; nga kënga e marshi, te simfonia e opera, nga muzika popullore deri te Jazz-i e Blues-i.

Nga viti 2006 deri në vitin 2011, nën udhëheqjen e drejtuesit artistik Edmond Doko, u organizuan 6 edicione të Festivalit të Orkestrave Frymore. Kanë marrë pjesë orkestrat frymore të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, të cilat janë vlerësuar edhe me çmime.

Ndër të tjera, ky festival ka pasur si qëllim gjallërimin e jetës kulturore, promovimin e qytetit, konsolidimin dhe shkëmbimin e eksperiencave artistike të bandave, realizimin e Akademisë Muzikore Verore në ndihmë të instrumentistëve të rinj, si dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së tyre në ansamble të vogla muzikore.

Prej 3 vitesh, organizatorët nuk kanë mundur ta realizojnë më këtë festival, pavarësisht dëshirës së instrumentistëve dhe orkestrave frymore në Shqipëri.

Top Channel