Gjashtë nga shtatë personat e akuzuar për terrorizëm në procesin gjyqësor “Monstra” janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Ata janë shpallur fajtorë për vrasjen e pesë të rinjëve maqedonas të ndodhur më 13 prill të 2012. Gjykata liroi nga akuza vetëm Ramiz Sejdiun, ndërsa dy nga të dënuarit ndodhen në burg në Kosovë ku po vuajnë dënimin për veprën armëmbajtje pa leje.

Avokati i të dënuarve, Naser Raufi paralajmëroi apelimin e çështjes, pasi sipas tij, vendimi nuk është marrë mbi bazën e provave, por vetëm mbi bazën e dyshimeve.

“Mendoj që duhet shumë kohë që të kemi një gjykatë të pavarur. Do të apelojmë dhe mendoj që do të kemi sukses. I gjithë vendimi është bazuar në dyshime dhe jo në prova”, thotë avokat Raufi.

Familjarët e personave të dënuar deklarojnë se i gjithë procesi dhe vendimi i gjykatës është marrë nën ndikimin e politikës. Ata edhe njëherë thanë se gjyqi ndaj të afërmve të tyre është i montuar nga shtetit.

Vrasja e pesëfishtë ndodhi 2 vite më parë në afërsi të Shkupit, ndërsa të akuzuarit për vrasjen u arrestuan më 1 maj të 2012 në një aksion të gjerë policor, ndërsa Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi se policia ka kapur autorët e vrasjes.

Top Channel