
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje në lidhje me një rast mitmarrjeje.
Vendimi për ta shoqëruar ish-kreun e shtetit në Nanterr, në afërsi të Parisit, është një hap i papreçedent kundrejt një ish-presidenti në Francë.
Avokati i zotit Sarkozy u mor gjithashtu në pyetje të hënën nën dyshimin se është përpjekur të sigurojë informacione mbi një hetim që po bëhej ndaj klientit të tij.
Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse Sarkozy, që drejtoi Francën nga viti 2007 në 2012, i kishte premtuar një rol prestigjoz në Monako një gjyqtari të nivelit të lartë në këmbim të informacioneve mbi çështjen e hapur ndaj tij.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Gilbert Azibert, një nga gjyqtarët më të vjetër në Gjykatën e Apelit, u thirr gjithashtu për t’u marrë në pyetje ditën e hënë.
Zhvillimet e fundit shihen si një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Sarkozy për të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2017. Pas marrjes në pyetje, autoritetet kanë vendosur që ta ndalojnë atë, duke shënuar kështu dhe herën e parë të ndalimit të një ish-kryetari shteti në Francë nga policia.
Parardhësi i tij, Jacques Chirac, mori një dënim të pezulluar me burg në vitin 2011, për përvetësim parash dhe shkelje të tjera gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë së Parisit.
Top Channel