Kryeministri grek Andonis Samaras ka thirrur urgjentisht disa ministra të kabinetit të tij në një mbledhje urgjente, pasi statistikat e fundit nga Marina Detare tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, numri i emigrantëve ilegalë që kanë kaluar kufijtë detarë grekë është rritur në mënyrë alarmante me gati 120% në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas burimeve zyrtare, prej janarit deri në fund të qershorit sivjet kanë hyrë ilegalisht në Greqi të paktën 10.000 emigrantë. Ministrat e Rendit, Mbrojtjes, Drejtësisë dhe Marinës Detare kanë rënë dakord për një koordinim më të mirë të veprimeve të tyre, ndërsa kanë kërkuar që ky problem t’u bëhet i njohur edhe organeve europiane.

Samaras, në një konferencë shtypi nga Brukseli, ka theksuar para disa ditësh se presidenca greke bëri çfarë ishte e mundur që ruajtja e kufijve europianë dhe përballimi i emigracionit ilegal të trajtoheshin si probleme që i takonin gjithë unionit dhe jo vetëm vendeve jugore si Greqia, Italia dhe Malta.

“Një komponent kyç është Strategjia Europiane e Sigurisë Detare. Kjo është hera e parë që BE është duke zhvilluar një strategji tërësore ndërsektoriale të këtij lloji, i cili do të rezultojë në mbrojtjen më të mirë dhe promovimin e sigurisë dhe interesave tona ekonomike në det”, ka deklaruar Samaras.

Samaras ka theksuar gjithashtu se Greqia do të jetë përkrah presidencës italine që do të marrë përsipër zbatimin e kësaj strategjie kundër emigracionit të paligjshëm.

Mëngjesin e së martës të paktën 50 emigrantë ilegalë janë shpëtuar nga trupat e Marinës Detare greke afër ishullit të Lesbos, kur gomonet me të cilat ata udhëtonin drejt brigjeve greke ishin gati për t’u mbytur.

Sipas burimeve qeveritare, shumica e emigrantëve që përpiqen të kalojnë nga brigjet turke drejt ishujve greke janë nga Siria, si rezultat i luftës civile në këtë vend që po vazhdon për të tretin vit rresht.

Top Channel